Ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbrëmjen e së martës tregoi se rritja e pagave do ta prekë tërë sektorin publik. Mirëpo, në konferencë përzgjodhën vetëm kategoritë të cilat kanë protestuar më herët për çështje të pagave – policinë, zjarrfikësit, infermierët… – duke fshehur kështu edhe rritjen e pagave për deputetët e ministrat. Sa pritet ta kenë pagën ata? Insajderi ju sjell një përllogaritje, bazuar në premisën e sotme të rritjes së rrogave në sektorin publik nga ana e qeverisë.
Ministri Murati njoftoi se rritja nga viti i ardhshëm për tërë sektorin publik do të jetë nga 110 euro, e ndarë në dy faza. 55 euro nga janari dhe 55 të tjera nga korriku.
Ai dha një arsyetim të çuditshëm në një shkrim sqarues për rritjen e pagave për tërë sektorin publik, ku tha se përzgjodhi policët, zjarrfikësit, infermierët, mësuesit dhe ushtarët vetëm sa për krahasim.
“Pra pagat rriten për të gjithë shërbyesit publikë, e jo vetëm për pozitat që i shfaqëm në tabelë gjatë konferencës. Tabela e shfaqur ishte vetëm për të ilustruar se si do dukej rritja për disa prej pozitave në sektorin publik“, deklaroi ai.
Por, rritjes së pagës hairin do t’ia shohin edhe kryeministri, presidentja, ministrat e deputetët. Sa do t’iu bëhet paga atyre? Insajderi iu sjell më poshtë një përllogaritje bazuar në premisën e rritjes së pagës për sektorin publik nga viti i ardhshëm:
Presidentja – Aktualisht paguhet 1980 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 2090 euro
Kryeministri – Aktualisht paguhet 1870 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 1980 euro
Zëvendëskryeministri – Aktualisht paguhet 1815 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 1925 euro
Ministri – Aktualisht paguhet 1804 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 1914 euro
Deputeti – Aktualisht paguhet 1804 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 1914 euro
Zëvendësministri – Aktualisht paguhet 1628 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 1738 euro.
Deklarimet e Kurtit kundër rritjes së pagave në prag të zgjedhjeve
Qeveria Kurti vendosi t’i rrisë pagat pak para zgjedhjeve parlamentare, data për të cilën është caktuar 9 shkurti i vitit të ardhshëm.
Kjo praktikë nga shefi aktual i Qeverisë kritikohej zëshëm. Ai e quante si “dëshirë për pushtet” rritjen e pagave në kohë zgjedhjesh.
“Me premtime elektorale janë përpjekur të rrisin pagat, por ekonomia nuk funksionon asisoj. Mund të funksionojnë dëshirat për pushtet, por ekonomia nuk funksionon me rritje pagash në fushata elektorale siç është bërë në të kaluarën”, deklaronte para tri vitesh Kurti.
Deklaratë të ngjashme por me qëllim të njëjtë bëri Kurti edhe sot në konferencën për media.
“Përderisa në të kaluarën pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit dhe atë vetëm në fushatë, me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave, ashtu siç e parasheh edhe ligji”, deklaroi Kurti sot në konferencë.
Rritja e pagave në këtë periudhë është interpretuar si politikë para zgjedhjeve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. /Insajderi.org/