“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante ka kryer bastisje bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës. Te gjitha veprimet janë ndërmarr sipas urdhëresës dhe sipas autorizimeve policore. Polica e Kosovës duke u bazuar ne faktin se ky rast është ne fazën e hetimeve, për momentin nuk mund te jep me shumë informacione”, ka thënë Policia e Kosovës për Gazetën Insajderi, lidhur me bastisjen që e kanë kryer para dy ditësh në Ndërmarrjen Publike Banesore.
Kjo e fundit, bastisjen e ka konsideruar shkelje ligjore të Policisë.
Përmes një komunikate për media, NPB-ja ka pretenduar se dokumentet që Policia ka marrë, i janë dorëzuar organeve rreth 5 muaj më herët.
“Pasur parasysh këtë fakt, kërkesa e tyre është e pakuptimtë. Përgjatë orëve që këta zyrtarë policorë ishin në ambientet tona, kanë bërë shkelje ligjore. Ata kanë qëndruar në dy kate duke mos lejuar praninë e askujt nga zyrtarët tanë për rreth një orë. Për më shumë ata kanë tejkaluar çdo limit me një veprim tjetër po ashtu të kundërligjshëm: për një orë që ata kanë qëndruar pa prezencën e zyrtarëve të NPB në katin e dytë dhe të tretë i kanë ndalur të gjitha kamerat e sigurisë”, thuhet në komunikatën e NPB-së, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas Ndërmarrjes Publike Banesore, e gjithë kjo veprimtari e zyrtarëve policor është në kundërshtim me dispozitat përkatëse të procedurës penale dhe për të njëjtën NPB-ja ka paralajmëruar se do të merr hapat e nevojshëm ligjor.
“NPB deri më tani ka dëshmuar bashkëpunim me çdo institucion publik në raport me çdo kërkesë që i është paraqitur përfshirë këtu edhe organet e rendit publik në përputhje me nenin 66 të Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale”, thuhet tutje në komunikatë.
PSD-ja akuzon Policinë se shkeli çdo normë ligjore gjatë bastisjes në NPB
Partia Socialdemokrate ka akuzuar Policinë e Kosovës se ka shkelur çdo normë ligjore në bastisjen që ia ka bërë Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), siç pretendon kjo parti, që ka ndodhur dy ditë më herët.
“Si asnjë herë më parë, Policia e Kosovës, duke shkelur çdo normë, kryen operacione. Një veprim i tillë vetëm sa e rritë dyshimin për institucionin e policisë. Tre ditë më herët, Policia e Kosovës zbaton një urdhër nga Gjykata Themelore e Kosovës për të kontrolluar Ndërmarrjen Publike Banesore. Në një veprim të paprecedent, Policia e Kosovës, gjatë zbatimit të këtij urdhëri, ka shkelur çdo normë ligjore e çdo nen të Kodit Penal në këtë luftë speciale. Fillimisht, siç nuk ka ndodh asnjëherë më parë, Policia e Kosovës kryen bastisje në një institucion publik pa i paralajmëruar mediat dhe sot e kësaj dite nuk ka lëshuar asnjë deklarim publik në lidhje me këtë. Por, siç u pa me konferencën e Vetëvendosjes sot, Policia e Kosovës ka angazhuar si zëdhënës të veten burrin e asistentes së kryeministrit Kurti i cili në atë konferencë kishte marrë peng edhe një deputet të parlamentit të Kosovës”, thuhet në reagimin e PSD-së, shkruan Gazeta Insajderi.
Kjo parti gjithashtu pretendon se Policia gjatë bastisjes që ka zgjatur tre orë, i ka fikur kamerat e sigurisë për 55 minuta.
“Së dyti, prej rreth 3 orësh bastisjeje, për 55 minuta Policia e Kosovës ka fikur kamerat e sigurisë përbrenda NPB-së dhe iu ka ndaluar qasjen zyrtarëve të saj në dy kate të ndërtesës. Kjo është shkelje flagrante dhe e rrezikshme e Kodit Penal që ngrit dyshimin se Policia e Kosovës ka shkuar aty për të montuar dëshmi e jo për t’i gjetur ato”, vijon reagimi i PSD-së.
Sipas PSD-së, kjo nuk është betejë ligjore, porse Lëvizja Vetëvendosje po instrumentalizon e kriminalizon institucionet e Kosovës duke i shndërruar në grupe banditësh.
“Policinë e Kosovës e inkurajojmë që të hetojë NBP-në sepse nuk kemi asgjë për të fshehur. Por, shkeljet ligjore, futjen në institucione si grupe banditësh duke fikur kamerat e duke iu ndaluar zyrtarëve të NPB-së qasje në objekt, asnjëherë nuk do ta lejojmë”, përfundon reagimi i tyre.
Ky reagim i PSD-së erdhi pasi NPB është institucioni i vetëm që “kontrollohet” nga njerëzit e afërt të kryetarit të PSD-së.
Ndryshe, beteja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate për drejtimin e Ndërmarrjes Publike Banesore ka nisur që moti.
Në vitin 2018, aksionari i Komunës së Prishtinës në këtë ndërmarrje, Dren Kukaj, anëtar i PSD-së, bashkë me të emëruarin U.D. i kryeshefit nga komisioni i aksionarëve, Hajdar Hoxha, nuk ishin lejuar të futeshin në objektin e NPB-së.
Këtë veprim të Kukajt, atë kohë asamblisti i VV-së, Egzon Azemi, po ashtu aksionar komunal në ndërmarrje, e kishte quajtur tentim për “okupim të ndërmarrjes” me sigurim privat.
Ai e kishte akuzuar ish-bashkëpartiakun e tij se po do të rehatojë Hoxhën në postin e kryeshefit me falsifikim të dokumenteve e vulave.
Pak orë më vonë, atë ditë Kukaj e Hoxha, nga objekti i komunës, kishin thënë se aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje ua ndaluan hyrjen në objektin e ndërmarrjes, për t’i siguruar Nexhat Kryeziut të mbajë jashtëligjshëm pozitën e kryeshefit.
E angazhimi i sigurimit privat, sipas tyre, ishte bërë pasi policia nuk u ofroi mbështetje.
Derisa aksioni i para dy ditësh i Policisë duket sikur hakmarrje e pushtetit për njerëzit e afërt me PSD-në.
VV: Projekti i NPB-së në Lakërishtë është korruptiv e antiligjor
Lëvizja Vetëvendosje ka përshëndetur aksionin e organeve të rendit për të hetuar ne lidhje me projektin e ndërtimit në lagjen Lakërishte nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), duke këmbëngulur se projekti është korruptiv dhe antiligjor.
Përmes një konference për media, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, deklaroi se janë shkelur të gjitha procedurat ligjore që duhet ndjekur për dhënien në shfrytëzim të pronës publike, ndërsa mbrojti bastisjen e policisë në zyrat e NPB-së duke shtuar se ashtu parashihet në kodin e procedurës penale. Sipas LVV, hartuesit e këtij projekti në vlerë prej 120 milionë eurosh, duhet të përgjigjen para drejtësisë ndërsa shtoi se lufta kundër keqpërdoruesve të pronës publike duhet të jetë e pa kompromis.
“Për një kohë të gjatë korrupsioni në Kosovë jo që nuk është luftuar por në pjesën më të madhe është përkëdhelur me veprime të dobëta e masa të lehta të gjykatave të Republikës së Kosovës, prandaj ky veprim së fundi, të organeve të rendit për të hetuar deri në fund dhe për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë apo që kanë mundësuar apo që nuk kanë ndaluar keqpërdorimet e shkeljet ligjore në rastin e dhënies në shfrytëzim të përhershëm të pronës publikes të Ndërmarrjes Banesore për ndërtim privat në një zonë profitabile të kryeqytetit, duhet të përshëndetet dhe të ndihmohet nga të gjithë”, tha Rrustemi, shkruan Gazeta Insajderi.
Rrustemi u shpreh se vetëm disa muaj para se të fillonte mandatin qeverisja lokale e Prishtinës, në mënyrë të kundërligjshme, të nxituar dhe jo transparente i kishte hapur rrugë investimit të kontestuar privat në pronën e paluajtshme të Ndërmarrjes Publike Banesore.
Ai tha se kontrata ishte bazuar në një rregullore të brendshme të NPB e cila, sipas tij, ishte miratuar vetëm disa ditë para shpalljes për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone dhe se ishte bërë veçanërisht për këtë projekt.
“Ndryshimet në Ndërmarrën Publike Banesore kishin shkuar deri në atë masë që pasi ishte aprovuar rregullorja ishte ndryshuar edhe statuti i NPB-së, një muaj pas, në janar të 2021, me një afat prej 3 ditësh kinse për të aplikuar për përzgjedhjen e një kompanie e cila ishte themeluar disa ditë para shpalljes, kanë qenë indice të qarta që projekti ka qenë i kurdisur dhe kjo ka qenë pikënisja e të gjithave shkeljeve të denoncuara më pas në polici. Ligji nuk lejon që prona publike të jepet në shfrytëzim të përhershëm. Fjala ‘shfrytëzim i përhershëm’ nuk ka bazë ligjore, ka shfrytëzim të përkohshëm, pra nuk ka shfrytëzim të përhershëm. Ky veprim dukshëm ka përbërë shkelje ligjore dhe vepër penale”, tha Rrustemi.
Ndërmarrja Publike Banesori, përmes një komunikate për media, pretendoi se policët gjatë bastisjes kishin shkelur Kodin e Procedurës Penale pasi gjatë qëndrimit në dy kate të objektit nuk kanë lejuar praninë e askujt nga zyrtarët e saj ndërsa në katin e dytë dhe të tretë i kanë ndalur të gjitha kamerat e sigurisë.
Por, për Rrustemin kjo nuk përbën shkelje të Kodit dhe të gjitha veprimet e zyrtarëve policorë gjatë bastisjes janë të parashikuara qartë dhe veprimi i djeshëm ishte në përputhje me këto rregulla.
Ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemi, tha se për projektin më gjigant në historinë e saj NPB nuk pati asnjë diskutim paraprak, as me banorët, as me qytetarët, as me asamblistët, as me organet e tjera te komunës.
“Pse kaq i ngutshëm ky veprim? Pse nuk ishte afati më i gjatë që të aplikonin edhe shumë kompani të tjera? Të gjithë këto pikëpyetje na japin vetëm një përgjigje nëse asgjë tjetër. Mjafton vetëm ky fakt që të kuptohet se këtu gjithçka po zhvillohet në mënyrë shumë të dyshimtë. Normalisht interesi i secilit që dëshiron të jap pronën për ndërtim është të marrë sa më shumë oferta dhe rrjedhimisht ta zgjedhe ofertën më të mirë, por çuditërisht kjo nuk ndodhi nga NPB sepse këtu nuk ishte interes përftimi publik por interesi ishte i një grupi të ngushtë për përfitime të ngushta private. Kështu përveç pronës NPB do të humbiste gjithashtu edhe një pjesë shumë të madhe të përqindjes të këtij ndërtimi. Sipas kontratës NPB do të menaxhonte, ose do të kishte në pronën e saj, vetëm 36% të gjithë 5 kullave të parapara që të ndërtoheshin. Kjo është një humbje jashtëzakonisht e madhe kur dihet që i gjithë projekti do të ndërtohej në pronën publike”, deklaroi Azemi, shkruan Gazeta Insajderi.
Azemi tha se NPB kishte refuzuar t’u jepte qasje edhe në dokumentet zyrtare në lidhje me këtë projekt në Lakërishte. Ndërsa shtoi se fakti që një ndërmarrje publike që ka frikë nga policia e bënë dhe më të dyshimtë rastin.
Azemi tha se ishin pikërisht organet e rendit ato që ndaluan punimet dhe vërtetuan se NPB dhe këto kompani të dyshimta po rrënonin pa asnjë kriter mbrojtës azbestin kancerogjen shumë afër gjimnazit “Xhevdet Doda” dhe ndërtesave kolektive në Lakrishtë.
Ai tha se kryeshefi ekzekutiv i NPB-së, Hajdar Hoxha, ka penguar anëtarët e bordit që ta shkarkonin, ndërsa akuzoi kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe partia tjetër në koalicion me LDK-në në qeverisjen komunale, PDK, se po heshtin për këtë rast.
“Pas pezullimit të projektit nga Ministria e Mjedisit kishte zhvillime të tjera në NPB, bordi i NPB i përbërë nga Lendita Mekuli, Arbënore Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva më 15 tetor me vota unanime kishin vendosur ta shkarkojnë kryeshefin e ndërmarrjes publike, z. Hajdar Hoxha. Mirëpo për shkak se disa punonjës administrativë atë ditë nuk gjendeshin në zyrë u detyruan që mos ta protokollojnë atë ditë vendimin dhe këtë protokollim tentuan ta bëjnë me datë 18 të po atij muaji, mirëpo nuk u lejua nga kryeshefi Hajdar Hoxha dhe vartësja e tij e cila e ka mbajtur vulën e protokollit, sipas vet anëtarëve të bordit, në mënyrë të paligjshme. Të gjitha këto veprime të paligjshme dhe e gjithë kjo heshtje e kryetarit të Komunës, Përparim Ramës dhe degës së Partisë Demokratike në Prishtinë”, vijoi Azemi.
Projekti i ndërtimit në lagjen Lakërishte, për NPB-në përbën rritjen më të madhe të një prone publike ndonjëherë nga paslufta e tash. Sipas kësaj ndërmarrje, ky projekt ka qenë cak i sulmeve të orkestruara tash e sa kohë. NPB thotë se ligjshmëria e këtij projekti është vërtetuar pasi qeveria e humbi rastin për anulimin e këtij projekti në dy instanca gjyqësore./Gazeta Insajderi/