![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Përzgjedhja e kandidatëve në konkursin për pozitën sekretar/e në dy shkolla të Komunës së Suharekës, duket se është ndikuar nga pushteti lokal.
Kjo për faktin se dy kandidatet e përzgjedhura për këto pozita janë të afërta me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëheqë me komunën.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Suharekë me 23 dhjetor 2022 ka publikuar rezultatet e kandidatëve pas intervistës për shkollën “Shaban Mazreku” në Sopijë dhe “Lidhja e Prizrenit” në Budakovë.
Për pozitën e sekretares në shkollën “Shaban Mazreku” u zgjodh Diana Zeqiraj me161.6 pikë. Në intervistën për punësim për këtë pozitë ishin edhe shtatë kandidatë tjerë, përveç Zeqirajt.
Zeqiraj është e afërt me pushtetin lokal. Ajo është bashkëshortja e asamblistit në kuvendin komunal nga radhët e AAK’së, Edon Sadikaj.
Edhe kandidatja e përzgjedhur për pozitën e sekretares në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Budakovë, Edmonda Palushi është përkrahëse e AAK’së.
Në profilin e Edomonda Palushit në Facebook janë të publikuara fotografi të kryetarit, Bali Muharremaj.
Nuk është e qartë nëse Palushi ka lidhje familjare me Muharremajn, apo vetëm mbështetëse e saj.
Ajo pas intervistimit mori 145.6 pikë.
Këto informata kanë ardhur si denoncim në redaksinë e Insajderit.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me personat e përmendur më lartë, por, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e lajmit.