Pushtetin e ka PDK-ja, por bash nën qeverisjen e tyre është botuar libri “Degradimi i Pavarësisë së Kosovës” i autorit Muhamet Shabani. Në këtë libër, nxjerrën konstatime që direkt e sulmojnë themeluesin e kësaj parti dhe ish-Presidentit Hashim Thaçi. Për këtë ka reaguar edhe një anëtarë i kësaj partie, dikur zëvendësministër i arsimit, Nehat Mustafa.
Reagimi nis me “Skandaloze – Komuna e Ferizajt sponsorizon për botim librin që akuzon deri në tradhti ish krerët e UÇK dhe PDK që janë në Hagë“, thotë Mustafa.
Ish-zëvendësministri deklaron se libri është sponsorizuar nga Drejtoria e Kulturës në Ferizaj në vitin 2021, dhe përveç Thaçit sulmohet edhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
“Ditë më parë dëgjova që Komuna e Ferizajt ( Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit), në vitin 2021 kishte sponorizur për botim një libër në të cilin sulmoheshin në mënyrën më të ulët ish krerët e UÇK-së që tanimë ishin padrejtësisht në Hagë, e me theks të veçantë ish krerët e PDK, respektivisht ish Presidenti Thaçi dhe ish Kryekuvendari Veseli“, thuhet në reagimin e tij.
Ai shprehet se fillimisht nuk e kishte besuar lajmin, por me të marrë në duar në exemplar të librit, pa që e vërteta sipas tij qëndronte ndryshe.
“…Kudo që kërkoja hezitonin të ma huazonin, mbase e dinin se unë edhe mund ta bëja publike këtë paturpësi institucionale. Më në fund arrita ta gjejë një exemplar të librit “Degradimi i Pavarësisë së Kosovës“.
Me të filluar shfletimin, Mustafa thekson se menjëherë bindet për ato që kishte dëgjuar lidhur me përmbajtjen e librit.
Mes tjerash, ai ka sqaruar se nuk do të merret me shkrimin e autorit, kritikën ai drejton kah Komuna e Ferizajt.
“Dallimi është se bindjet private duhet të financohen nga vet autorët, donatorë privat apo organizata që nuk financohen nga taksat e qytetarëve”, potencon ai.
“Pra, unë po e shtroj për diskutim çështjen se si ka mundësi që Komuna e Ferizajt të sponzorizoj për botim libra me përmbajtje të tillë? Logjika e thotë që institucionet duhet të sponsorizojnë për botim vepra që janë në të mirën e publikut të gjerë . Prandaj, është koha që zyrtarët nga DKRS të dalin dhe të tregojnë cilat janë të mirat që i ka sjellur publikut libri në fjalë?“, shkroi ai.
Në reagimin e tij, ai ka theksuar nevojën e rritjes së kapaciteteve të DKRS për të mbikëqyrur secilën vepër që prapa qëndron komuna.
“Komuna e Ferizajt udhëhiqet nga PDK dhe e ka obligim moral që të deklarohet publikisht se si qëndron e vërteta e sponzorizimit të këtij libri ku ish krerët e luftës e të shtetit dhe po ashtu ish themeluesit e udhëheqësit e PDK konsiderohen degradues e shkatërrues të Pavarësisë së Kosovës; njerëz që qëndrojnë prapa vrasjeve politike; njerëz që udhëheqin këtë parti nga HAGA; njerëz që kanë zbatu e implementu planet serbo – ruse, etj. Sulmohen e etiketohen edhe udhëheqësit e tanishëm të PDK, fyhen e bullizohen deputetë të saj dhe jo pa qëllim të gjithë nga një zonë e caktuar”, shprehet Mustafa.
Ai ka kërkuar të dijë publikisht nëse Komuna e Ferizajt do të distancohet nga kjo pjesë e këtij libri, apo i qëndron mbrapa përmbajtjes së tillë.
Mustafa madje thotë se askush nuk ka guxuar që haptazi ta kritikojë këtë botim, që flet keq për ish-krerët e PDK-së që tash e ca vite ndodhen në Hagë.
“Flitet që për këto dy vite janë përgatitur disa reagime për përmbajtjen e librit, por që të gjitha janë heshtur me porosi nga “lart” se reagimet eventuale e rikthejnë vëmendjen tek libri dhe gabimi i komunës“, ka thënë ai.
Për rastin, Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga komuna e Ferizaj, por as shefi i kabinetit të Agim Aliut, as zëdhënësi i komunës e as drejtoresha e Kulturës nuk kanë qenë të qasshëm.
Një koment, Insajderi ka provuar ta marrë edhe nga autori i librit, Muhamet Shabani, por i njëjti deri tani nuk ka kthyer përgjigje.
/Insajderi