Më shumë se 69 mijë euro i ka kushtuar blerja e një “autocisterne zjarrëfikëse” komunës së Vushtrrisë. Autocisterna zjarrëfikse është 28 vite e vjetër. Kështu, komuna e udhëhequr nga Ferit Idrizi i PDK’së, kanë shkelur udhëzimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që lejon përdorimin e automjeteve zjarrfikëse të vjetra deri në 15 vjet.
Komuna e Vushtrrisë ka blerë një autocisternë zjarrfikëse të vitit 1995, me çmim prej 69 mijë e 468 euro. Kështu thuhet në raportin e auditimit për vitin 2023.
Sipas ZKA komuna duke blerë automjet 28 vite të vjetër, ka shkelur Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që lejon përdorimin e automjeteve zjarrfikëse të vjetra deri në 15 vjet.
Në raportin e ZKA-së thuhet se nga zyrtarët përgjegjës, blerja e automjetit të përdorur është arsyetuar me mungesën e buxhetit.
Tutje sipas raportit të ZKA blerja e makinerisë së vjetër ndikon në performancën dhe funksionalitetin e automjetit për përdorim në rastet emergjente dhe se “blerja e makinerisë së përdorur vë në pikëpyetje kapacitetin dhe funksionalitetin e përdorimit të tij në raport me paranë e shpenzuar”.
Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar kryetarit të komunës që automjetet e dedikuara për njësinë e zjarrfikjes të jenë në përputhje me kërkesat e Udhëzimit Administrativ të MPB-së.
Nga komuna e Vushtrrisë janë pajtuar me këtë gjetje të ZKA’së.
Insajderi.org