Afro 200 mijë euro i ka kushtuar komunës së Gjilanit të udhëhequr nga Alban Hyseni i Vetëvendosjes, vetëm hartimi i projektit integrues të sheshit, Parkingut nëntokesor dhe objektit të administratës. Kontrata e këtij tenderi është dhënë përmes negocimit. Opozita në Gjilan kanë reaguar ashpër duke e cilësuar si skandal dhe keqpërdorim të parave.
Komuna e Gjilanit me datën 12 shtator të vitit të kaluar ka nënshkruar kontratë për “Hartimin e projektit integrues të sheshit, Parkingut nëntokesor dhe objektit të administratës”.
Çmimi total i kësaj kontrate ka qenë 195 mijë e 500 euro.
Kontrata është nënshkruar në mënyrë të negociuar.
Opozita në Gjilan kanë reaguar ashpër lidhur me këtë tender, duke e cilësuar si skandal dhe keqpërdorim i parave.
Nga Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan thonë se operatorit ekonomik i është bërë pagesa me 25 prill 2024.
“Një hartim i cili është bërë në kundërshtim me procedurat dhe me ligjin e planifikimit hapësinor. Ky tender me negocim pagesa i është bërë më datë 25 prill 2024.”
Tutje në reagimin e PDK’së thuhet se komuna ka nënshkruar kontratë me nogocim me kompaninë “Dea Group” shpk nga Prishtina.
“Për këtë vizatim dhe video të bërë sipas dëshirave të tij, kryetari i komunës nuk ia besoi asnjë arkitekti të Gjilanit, por ka negociuar me kompaninë “Dea Group” shpk nga Prishtina, duke e kontraktuar me marrëveshje të fshehtë (përmes negocimit), pa procedura të hapura të tenderimit, ashtu siç kërkohet me ligjin e prokurimit”.
Lidhur me këtë tender, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike në Gjilan. Ata e kanë quajtur shkelje korruptive e skandaloze.
Në reagimin e tyre thuhet se për këtë tender komuna as nuk ka bërë njoftim.
“Me shqetësim të madh, Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, ka parë shkeljet e fundit të qeverisjes korruptive e skandaloze të Komunës së Gjilanit. Imagjinoni, për hartimin e projektit integrues të sheshit, parkingut nëntokësor dhe objektit të administratës, i pari i ekzekutivit, sy më sy me kompaninë, ka negociuar kontratën në vlerë prej 196.500€. Për këtë tender ai as nuk ka bërë njoftim!”.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me komunën e Gjilanit, por të njëjtit deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer përgjigje.