Pushteti i LDK-së denoncohet se në mënyrë të dyshimtë i dha pronë të shtetit në shfrytëzim firmës "Model Slovenia" - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Pushteti i LDK-së denoncohet se në mënyrë të dyshimtë i dha pronë të shtetit në shfrytëzim firmës “Model Slovenia”

    Insajderi
    28 May 2025 - 16:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një pronë komunale prej 300 m² në Fushë Kosovë dyshohet të jetë keqpërdorur për përfitimet e një kompanie ndërtuese. Drejtoria e Kadasrit në Komunën e Fushë Kosovës në vitin 2018 kishte lejuar që kjo pronë publike t’i bashkohet parcelave private me qëllim të ndërtimit të një banese nëntë katëshe të kompanisë “Model Slovenia”. Pas përfundimit të ndërtimit, parcela është rikthyer në gjendjen fillestare në regjistrat kadastralë, duke fshehur ndërhyrjen.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Fushë Kosovës që udhëhiqet nga Burim Berisha Lidhjes Demokratike të Kosovës, është duke u hetuar për keqpërdorim të një parcele prej 300 metrave katror në rrugën “Hamdi Graevci” në zonën kadastrale.

    Kjo parcelë që momentalisht është pronë publike në Fushë Kosovë –ishte bërë pjesë e një parcele private në mënyrë të dyshimtë në vitin 2018.

    Sipas dokumenteve të siguruara nga asamblisti i AAK-së, Hasan Ismajli, në vitin 2018 ndodhi një ndryshim në regjistrimin kadastral:

    Prona komunale me numra kadastralë [480-3] (rrugë) dhe [420-3] (lumi) – me gjithsej 300 m² – iu bashkuan parcelës private [479-1], në pronësi të qytetarit me inicialet Z.SH.

    Po atë vit, kjo parcelë private bashkë me [479-2, 479-4, 479-5] hyri në një marrëveshje për ndërtim kolektiv me një kompani ndërtimi.

    Kush ndërtoi

    Leja ishte dhënë nga Drejtoria e Planifikim Urban për ndërtimin e objektit – shumëbanesorë me afarizëm.

    Vendimi

    Gazeta Insadjeri ka mësuar se kompania ndërtuese është “Model Slovenia”.

    Me qëllim të përmbushjes së kërkesës për ndërtimin e kompleksit banesor prej nëntë katësh, kompania ka shfrytëzuat nga toka e komunës 300 metra katror, për të përmbushur kërkesat për marrjen e lejes së ndërtimit për 50 për qind të sipërfaqes.

    Pas marrjes së lejes së ndërtimit, sipas dokumenteve grafike, në vitin 2023 gjendja e parcelës është rikthyer në formën e mëparshme, siç ka qenë para ndërhyrjes së vitit 2018. Parcela i është kthyer komunës.

    Kjo ka ngritur edhe më shumë dyshime për manipulim me sistemin e kadastrës dhe me regjistrin e pasurive komunale.

    Auditori ngreh dyshime për tjetërsim të pronës

    Asamblisti Hasan Ismajli ngriti çështjen në Kuvendin Komunal në vitin 2022 dhe njoftoi të gjitha grupet politike, si dhe auditorin e brendshëm të komunës. Ai kërkoi hetim dhe mbajtje përgjegjësie për keqpërdorimin e tokës publike.

    Në një raport të auditimit të brendshëm të dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, udhëheqësi i auditimit, Shyqeri Krasniqi deklaroi se ka dyshime për tjetërsim të pronës komunale.

    “Në këtë rast kemi të bëjmë me zvogëlim të sipërfaqes së pronave komunale dhe tjetërsim të tyre në favore private. Vlera e dëmit llogaritet të jetë rreth 600,000–700,000 euro.”, thuhet në raportin e auditorit që ka parë Gazeta Insajderi.

    Çfarë thotë kompania “Model Slovenia”?

    Në një përgjigje me shkrim, kompania ndërtuese “Model Sllovenia” e mohon çdo përfshirje në keqpërdorim të pronës publike.

    Ne nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë pronë publike në shfrytëzim. Jemi vetëm kompani investuese dhe të gjitha investimet janë bërë në prona private.

     Komuna nuk ka përgjigje

    Gazeta Insajderi ka tentuar të marr edhe një përgjigje nga drejtori i Drejtorisë së Kadastrit në Komunë e Prishtinës, Ilir Hasani por, deri në publikimin e artikullit nuk ka kthyer përgjigje.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark