×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Pushteti i PDK-së në Ferizaj nënshkruan kontratë afro 2 milionëshe me njeriun e dënuar për mashtrim

    Insajderi
    02 October 2024 - 11:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Ferizaj, Agim Aliu me dorën e vet ka vendosur nënshkrimin për dhënien e tenderit njeriut të dënuar për mashtrim, në ndihmë i doli edhe U.D e shefes së prokurimit publik, Arbërie Topalli e cila poashtu është në një proces gjyqësor si e dyshuar për korrupsion. Ani pse po bien ndesh me ligjin, pushtetin e PDK-së nuk po e ndalë asgjë që ta shpërbleje me tender biznesmenin, Mifail Vogliqi, të dënuar për mashtrim. Madje tender afro 2 milionësh për asfaltimin e një rruge në Ferizaj. Gazeta Insajderi ju sjell detajet.

    “Asfaltim i rrugës Pleshine-Kashtanjeve”, me vlerë prej 1,838,675 euro iu është besuar grupit të operatorëve ekonomik Gërlica-Company Sh.P.K dhe IPN Group Sh.P.K  të përfaqësuar nga Bledar Krasniqi dhe Albion Vogliqi.

    Në dosjen e tenderit shihet se dokumentet, listat e kontratave janë të nënshkruara nga Mifail Vogliqi, ku ndaj këtij të fundit figuron aktgjykimi i formës së prerë nga Gjykata Themelore në Gjilan, ku i njëjti ishte shpallur fajtor nën cilësinë e pronarit të “Gërlica Company” për veprën penale mashtrim.

    Sipas gjykatës, Vogliqi me vetëdije të plotë kishte shkelur rregullat e Ligjit për Prokurim Publik, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit dhe ndikim tek autoriteti kontraktues, në atë mënyrë që ka paraqitur dokumente të rreme e që me këto veprime ka kryer veprën penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik dhe është dënuar.

    E sipas nenit 65 paragrafit 3 të Ligjit për Prokurim Publik: Operatori Ekonomik, nuk ka të drejt të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e ndonjë vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazheve ose aktiviteteve të ngjashme.

    Gjithsesi ky fakt, nuk e ka ndaluar pushtetin e PDK-së që përmes zyrtares së tyre, Arbërie Topalli të dyshuar për korrupsion, e që ndodhet në proces gjyqësor të nënshkruaj pro kontratës me të dënuarin për mashtrim në Prokurim Publik, Mifail Vogliqi.

    Komuna e kompania heshtin

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Ferizaj për të kuptuar se si iu mundësua Vogliqit, të cilit gjykata ia ndalon të jetë pjesëmarrës në prokurime publike, të jetë edhe fitues, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Përgjigje nuk kanë dhënë as nga kompania “Gërlica-Company”, kur janë pyetur se si kanë dorëzuar dokumente të nënshkruar e vulosura nga i dënuari për mashtrim, duke e ditur se një gjë të tillë e ndalon Ligji i Prokurimit Publik.

    Gazeta Insajderi pati raportuar edhe për një rast se si ishte kërkuar hetim ndaj “Gërlica-Company” për ‘keqpërdorim dhe mashtrim me prokurimin publik’.

    Kjo për faktin se Albion Vogliqi, përfaqësuesi i autorizuar nga Mifail Vogliqi, pronari i “Gërlica-Company”, kishte nënshkruar deklaratën nën betim duke mos e njoftuar komunën e Prishtinës, se shefi i i tij ishte shpallur fajtor për mashtrim të shtetit.

    Për çka saktësisht ishte dënuar Mifail Vogliqi?

    Më 2 gusht 2021, Gjykata Themelore në Gjilan e kishte shpallur fajtor, Mifail Vogliqin dhe e kishte dënuar me burgim.

    Sipas aktgjykimit të cilin e ka Gazeta Insajderi, ai ishte dënuar me 180 ditë burgim, ose gjashtë muaj vuajte të dënimit, të cilin më pas e ka paguar me gjobë.

    Kjo për shkak se Vogliqi kishte kryer veprën penale “keqpërdorim dhe mashtrim me prokurimin publik, shkruan Gazeta Insajderi.

    Mifail Vogliqi, pronari/aksionari i “Gërlica-Company”

    Sipas vendimit të Gjykatës, “Vogliqi në cilësinë e pronarit të “Gërlica-Company” me vetëdije të plotë ka shkelur rregullat e Ligjit të Prokurimit Publik, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe ndikimit tek autoriteti kontraktues”.

    Konkretisht Vogliqi ka paraqitur dokumente të rreme, përkatësisht pa autorizimin e A. K., inxhinier i komunikacionit dhe të A.D., inxhinier i ndërtimtarisë, me të cilët kompania e tij nuk ka pasur kurrfarë para kontrate ose kontrate të punës, ka përdorur të dhënat e tyre personale.

    Siç janë përgatitjet e tyre profesionale për të plotësuar kriterin e dosjes së tenderit të shpallur nga komuna e Vitisë më 1 tetor 2020, lidhur me projektin e “ndërtimi i rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik, faza e dytë”.

    Për çka dyshohet shefja e prokurimit në Ferizaj?

    U.D e shefes së Prokurimit në Ferizaj, Arbërie Topalli bashkë me 3 zyrtarë tjerë dhe dy biznesmenë ndodhën në një proces gjyqësor, ata po dyshohen për korrupsion, përkatësisht keqpërdorim të detyrës.

    Me 26 shtator të këtij viti ishte paraparë të mbahej senaca gjqyësore ndaj tyre, por me kërkesë të prorkurit dhe njërës dhe të akuzuarve ishte shtyre senaca.

    Pika e dytë  e aktakuzës i ngarkon të pandehurit Arbërie Topalli, Arbnora Sjediu dhe Hajrush Leka se më 27 shtator 2019, në Ferizaj se si anëtarë të komisionit për vlerësimin e ofertave në ritenderin “Pjesëmarrja në ngritjen e zhvillimit të bizneseve” të Komunës së Ferizajt, në kundërshtim LPP-në, i kishin rekomanduar komisionit të lartcekur që të lidhë kontratë me operatorin ekonomik “Altinn” Sh.p.k, edhe pse i njëjti nuk i ka plotësuar kushtet për pjesëmarrje në tender, pasi që ka paraqitur referencë të falsifikuar.

    Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje” nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Theksojmë se rrjeti i OJQ-ve AVONET ka kërkuar nga organet kompetente Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës të ndërmarrin veprime hetimore urgjente lidhur me këto të gjetura. Gjithashtu, kërkuan që Komuna e Ferizajt të anulojë këtë kontratë të dyshimtë dhe të iniciojë procedurat për përgjegjësinë ligjore siç parasheh LPP.

    Sipas AVONET, transparenca dhe llogaridhënia duhet të mbeten parime themelore në të gjitha nivelet e qeverisjes.

    “Këto veprime janë shkelje të rënda që dëmtojnë besimin dhe transparencën në procedurat e prokurimit publik, andaj si të tilla duhet të ndërprehen dhe parandalohen sa më shpejt”, thuhet në reagimin e tyre.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark