Para pesë muajsh, Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit në Ndërmarrjen Publike Lokale “Kuzhina Qendrore”, Flamur Sallahut i ishte pezulluar certifikata profesionale për një vit nga KRPP. Sipas vendimit Sallahu nuk kishte respektuar vendimin e OSHP’së. Pasi atij i ishte hequr licenca profesionale për prokurim në një Ndërmarrje Publike, pushteti i kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës ia mundëson angazhimin në një pozitë më të lartë në Zyrën e Prokurimin në Prishtinë. Aktualisht ai është duke ushtruar funksionin e si Zyrtar i Lartë për Prokurim.
Në gusht të vitit të kaluar, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka vendosur që t’ia pezulloi certifikatën profesionale Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit në Ndërmarrjen Publike Lokale “Kuzhina Qendrore”, Flamur Sallahu me kërkesë të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Sipas vendimit, Sallahu nuk ka respektuar rekomandimet e OSHP’së dhe ka rekomanduar për fitues Operatorin Ekonomik të cilin me vendim OSHP e ka shpallur si të papërgjegjshëm për aktivitetin e Prokurimit “Furnizim dhe montim i paneleve solare në Kuzhinën Qendrore”.
Ky vendim, është respektuar nga ana e Flamur Sallahut duke u larguar nga kjo pozitë edhe pse ai në një komunikim me Insajderin e ka quajtur si vendim të kundërligjshëm.
“Nga momenti i pranimit të vendimit nga KRPP (i kundërligjshëm) pavarësisht kësaj unë e kam respektuar dhe kam ndërprerë marrëdhënien e punës si U.D. Zyrtar Përgjegjës i Prokurimit Publik në NPL “Kuzhina Qendrore” sh.a. pasi që nuk kam të drejtë të ushtroj këtë funksion”, ka thënë Sallahu në një përgjigje për Gazetën Insajderi
Gazeta Insajderi ka mësuar se pavarësisht pezullimit të certifikatës profesionale për prokurim, Sallahu është duke shërbyer si Zyrtar i Lartë i Prokurimit në zyrën e Prokurimit në Prishtinë.
Emri i tij figuron si bartës i disa aktiviteteve të prokurimit.
Këtë e ka konfirmuar edhe zyra për media nga Komuna e Prishtinës. Sipas tyre, Sallahu nuk nënshkruan kontrata të prokurimit publik por është vetëm bartës i aktiviteteve të prokurimit.
“Sa i përket Komunës së Prishtinës, duhet cekur se z.Flamur Sallahu nuk është zyrtar përgjegjës i prokurimit por vetëm zyrtar i prokurimit. Rrjedhimisht i njëjti nuk nënshkruan kontrata të prokurimit publik por është vetëm bartës i aktiviteteve të prokurimit. Përmes nenit 23 par. 1 të LPP është përcaktuar se “ZKA i autoritetit kontraktues përcakton një person të shërbej si Zyrtar Përgjegjës i Prokurimit për autoritetin kontraktues”, sqarohet në përgjgijen e Komunës së Prishtinës.
Tutje, Sallahu në përgjigjen e tij specifikon se pezullimi i licencës nuk ia ndalon edhe ushtrimin e funksionit si zyrtar i lartë për prokurim në Komunë e Prishtinës.
“Ndërsa funksioni i zyrtarit të lartë për prokurim nuk ka të bëjë asgjë me licencë pasi që kam kompetencë dhe përgjegjësi për të kryer aktivitete të prokurimit por nuk kam të drejtë të avancohem në karrierë për pozitë Zyrtar Përgjegjës të Prokurimit për të nënshkruar kontrata dhe funksione që lidhen me pozitën Zyrtar Përgjegjës i Prokurimit deri në verdiktin final të Gjykatës”, është shprehur Sallahu.
Gazeta Insajderi ka pritur edhe një interpretim ligjor nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik nëse Flamur Sallahut i lehohet të ushtrojë funkisonin e Zyrtarit të lartë të Prokurimit në Komunën e Prishtinës pa licencë, por deri me publikimi e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.
Për çka iu pezullua licenca profesionale, Flamur Sallahut
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik në gusht të 2023’tës kishte vendosur që t’ia pezulloj certifikatën profesionale Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit në Ndërmarrjen Publike Lokale “Kuzhina Qendrore”, Flamur Sallahu me kërkesë të Organit Shqyrtues të Prokurimit pasi që sipas vendimit, Sallahu nuk ka respektuar rekomandimet e OSHP’së dhe ka rekomanduar për fitues Operatorin Ekonomik të cilin me vendim OSHP e ka shpallur si të papërgjegjshëm për aktivitetin e Prokurimit “Furnizim dhe montim i paneleve solare në Kuzhinën Qendrore”.
“Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), bazuar ne Nenin 91 pika b te Rregullores për Prokurim Publik ka parashtruar kërkesë pranë Bordit te KRPP-se, për anulimin e certifikatës profesionale te prokurimit, për Zyrtarin Përgjegjës te Prokurimit Publik te Autoritetit Kontraktues – Ndërmarrja Publike Lokale Kuzhina Qendrore sh.a, z. Flamur Sallahu.
Kërkesa e OSHP-së, është parashtruar me arsyetimin se Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit te Autoritetit Kontraktues – Ndërmarrja Publike Lokale Kuzhina Qendrore sh.a ka bere shkelje te dispozitave te LPP-se, duke mos e respektuar Vendimin e OSHP-se dhe duke rekomanduar për fitues OE-ne te cilin me Vendim OSHP e ka shpallur si te papërgjegjshëm për aktivitetin e Prokurimit: “Furnizimi dhe montimi i paneleve solare ne Kuzhinën Qendrore”” me numër te prokurimit KQ-22-14687-1-2-1.”, thuhet në vendimin e KRPP’së.
Sipas vendimit, Bordi i KRPP’së me datën 28.08.2023 ka vendosur që Flamur Sallahit ti shqiptaret masa “”Pezullim i certifikatës profesionale te prokurimit për një periudhe 1 vjeçare ” sipas nenit 99.2 te Rregullores për Prokurim Publik.
“Bordi i KRPP-se, pas pranimit te “Raportit te Komisionit”, ne takimin e mbajtur me datën 28.08.202 shkeljet ligjore të cilat i ka bërë ZPP i AK- Ndërmarrja Publike Lokale Kuzhina Qendrore sh.a, z.Flamur Sallahu i cilësoj si shkelje te rënda sipas nenit 97.1 pika h, dhe për këtë vendosi që z.Falamur Sallaut t’i shiptohet masa “Pezullim i certifikatës profesionale te prokurimit për një periudhe 1 vjeçare ” sipas nenit 99.2 te Rregullores për Prokurim Publik”, thuhet në vendim.
Për këtë vendim, Flamur Sallahu ka thënë për Insajderin se ka ushtraur padi për konflikt administrativ.
“Vendimi i KRPP-së është zbatuar në tërësi nga ana ime ndërsa ndaj këtij vendimi kemi bërë PADI PËR KONFLIKT ADMINISTRATIV dhe poashtu kemi bërë Kërkesë për Caktimin e Masës së Përkohshme në Gjykatë Themelore në Prishtinë” është shprehur ai.
/Insajderi.org/