Pushteti jep tri tendere rend për kompaninë GMM Group, figuron se ka vetëm një punëtor dhe është regjistruar si biznes para disa muajve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Pushteti jep tri tendere rend për kompaninë GMM Group, figuron se ka vetëm një punëtor dhe është regjistruar si biznes para disa muajve

    Insajderi
    12 March 2025 - 15:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeveria në detyrë në fund të mandatit, është përkujdesur për pastrimin e veturave. Zyra e Kryeministrit, Ministria e Bujqësisë dhe Ndërmarrja publike “Telekom”, dhanë pothuajse në të njëjtën kohë kontrata për këtë qëllim. Madje, si për ‘rastësi’ edhe fitues në të tria rastet, u shpall kompania e njëjtë. GMM Group, është kompania që iu besuan kontratat. E njëjta si duket nuk ka as gjashtë muaj përvojë punë, ndërsa sipas të dhënave në ARBK, figuron se ka vetëm një punëtor. Insajderi sjell detajet.

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci me 16 janar, shpenzoi 6 mijë euro për pastrimin e veturave. Ky tender shkoj për kompaninë GMM Group.

    “Pastrimi i automjeteve për nevojat e  MBPZHR-së. Data e dhënies së kontratës  14.01.2025. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 16.01.2025. Numri i tenderëve të pranuar: 2 Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata GMM Group SH.P.K.  Vlera e përgjithshme e kontratës 5,988.00  euro”.

    Ministria e Bujqësisë kishte vendosur edhe dy kërkesa për kompaninë fituese.

    “Kërkesa 1: Operatori Ekonomik duhet që të ketë së paku një objekt për larjen e automjeteve me së paku tri vende-kabina  për larjen e automjeteve. Objektet-autolarjet duhet të jenë jo më larg se 5 kilometra nga qendra e qytetit në Prishtinë.”

    Sipas dosjes se tenderit do të pastrohen 37 vetura të ndryshme. Ato do të dërgohen në autolarje 1200 herë.

    Pas Ministrisë së Bujqësisë, e njëjta kompani u shpërblye edhe nga Telekomi e Kosovës.

    Me 25 shkurt, Telekomi Kosovës, dha njoftimin për tenderin “Larja dhe pastrimi i automjeteve zyrtare”.

    “Lokacioni i operatorit ekonomik ku pastrohen automjetet zyrtare te TK-se te mos jete me larg se 3 (tri)
    kilometra nga objekti kryesor Dardani Prishtine, si dhe te ketë se paku 3 (tri) hapësira për larjen e tri
    automjeteve njëkohësisht”, thuhet në njoftim.

    Pas Telekomit, dy ditë më pas, edhe Qeveria lidhi kontratë me kompaninë GMM Group.

    Në dosjen e kontratës të publikuar në KRPP, tenderin e ka fituar kompania “GMM Group”, e cila do të përfitojë plotë 6 mijë e 471 euro.

    Zyra e Kurtit ka kërkuar që për pastrimin e veturave shërbimi duhet të jetë i shpejtë, cilësor dhe me prioritet.

    Veturat e zyrë kohë pas kohe do u bëhet edhe një pastrim special. Madje, ky shërbim është ndarë në tri pika.

    1 Larja komplet me shampo (brenda dhe jashtë) e automjeteve zyrtare (gjatë 7 ditëve të javës). Larje /12 muaj, 1300.

    2 Ekstra larje (brenda dhe jashtë, perfshirë tavanin ulëset, dyert etj) . Larje /12 muaj 30

    3 Ujë / shampon i xhamave për automjete . Litër /12 muaj 1000.

    Por, të gjitha këto kërkesa të Qeverisë a do të mund të i përmbush kompania fituese?

    Detaje për kompaninë “GMM Group”

    Në tenderët që iu dhanë kompanisë “GMM Group”, specifikohen kërkesa të shumta. Veturat e Ministrisë e Bujqësisë do pastrohen 1200 herë. Ndërsa edhe Qeveria pati kërkesa të shumta e duke kërkuar që pastrimi i veturave të tyre të jetë prioritet.

    Por, që në bazë të dhënave publike që ekzistojnë për kompaninë, realizimi i kërkesave lë hapësirë për dyshim.

    Sipas të dhënave që ka ngarkuar kompania, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, figuron vetëm një punëtor.

    Madje, edhe në pastrimin e veturave, kompania si duket nuk ka aq përvojë punë.

    Si biznes del se është regjistruar në tetor të vitit 2024.

    E vetëm pak muaj pas regjistrimit ia doli të fitoj disa tendere.

    Gazeta Insajderi, ka provuar të marrë një përgjigje nga kompania në fjalë se sa punëtorë ka dhe se si fitoi kontratat, por nuk ka marrë përgjigje. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark