Akterë të partisë në pushtet kanë orkestruar fushatë kundër mediave. Deputetë dhe akterë të partisë kanë reaguar me gjuhë të vrazhdë në drejtim të mediave, përkundër raportimeve të tyre përbrenda standardeve profesionale. Deputetë të Vetëvendosjes, Agon Batusha dhe Artan Abrashi, kanë linçuar mediat me anë të diskursit patriotik folklorik, për artikuj që i përmbahen kornizave profesionale të raportimit.
Deputeti devijoi qëllimshëm raportimin e Gazetës Insajderi, ku flitej për prezencën e kamionëve të firmës “Bageri” të biznesmenit Bujar Shabani, për të cilin zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi e ka pranuar publikisht se e ka mik.
Ndonëse procedurat tenderuese lidhur me testimin dhe inspektimin e urës u bënë publike, emri i Shabanit nuk figuroi askund.
“Dikur kamionët e Radoiçiqit i bllokonin rrugët në veri. Tash “kamionët e dostit të Durmishit” po e testojnë hapjen e urës për në veri. Ju me cilët kamiona jeni? Pasi po dëshironi me e banalizu”, deklaroi Batusha.
Lidhur me këtë reagim që përmban gjuhë urrejtje reagoi drejtori i Gazetës Insajderi, Parim Olluri, i cili i bëri thirrje Prokurorisë Speciale të hetohet prezenca e shpeshtë e “Bageri”-t nëpër projekte qeveritare.
“Qe çfare postimi linçues kunder nje mediumi poston nje deputet i pushtetit. Per marre! Qeveria Kurti duhet me dhane pergigje para Prokurorise Speciale se pse kamionet e dostit te Durmishit gjenden githkund ne projektet qeveritare. E thjeshte eshte kjo pune”, deklaroi ndër të tjera Olluri.
Shabani i “Bageri Company” është dost i Durmishit. Ai ka fituar kontrata të majme përgjatë qeverisjes aktuale. Ndaj të njëjtit ka pasur edhe aktakuzë lidhur me keqpërdorimet e tij me tenderë.
Deputetit tjetër të Vetëvendosjes, Artan Abrashit, i ka penguar pse mediat po ashtu kanë cituar zëdhënësin e Departamentit Amerikan të Shtetit, kur është përgjigjur në pyetjen e gazetares serbe, Ksenija Pavlovic.
“Ksenija Pavlovic, është emri i gazetares. Është serbe, që ka migruar në Amerikë. Ajo është zëri i shtetit të Serbisë në secilën konferencë për media të Departamentit të Shtetit. Për çdo zhvillim në Kosovë, ajo bën pyetje në konferencën e Departamentit të Shtetit. Dje për shembull, në lidhje me mbylljen e postave ilagale të Serbisë në veri paska pyetur se “Sa vija të kuqe mund të shkel Kryeministri Kurti në veri të Kosovës pa pasur asnjë pasojë?
Përgjigjen e Departamentit të Shtetit e gjejmë në pothuajse të gjitha portalet tona në Kosovë. Kjo nuk është hera e parë. Me lajmet që prodhohen nga ajo, shpesh goditet Qeveria e vendit nga tanët. Por ka një dallim këtu. Ksenija po e përdor median për ta shtyrë përpara agjendën e shtetit të Serbisë në opinion publik. Tanët po i përdorin mediat për ta goditur kryeministrin në opinion publik”, deklaroi Abrashi.
Kjo deklaratë e Miller është publikuar nga vetë ambasada e SHBA’së në Kosovë. Por, çfarë tha Miller për raportin Kosovë-SHBA? Gjatë një konference për media përsëriti se SHBA-ja është e shqetësuar me vendimet e fundit të Kosovës, kur u pyet nëse duhet të ketë pasoja për autoritetet në Kosovë pas mbylljes së disa objekteve të Postës së Serbisë në veri të vendit disa ditë më parë.
“Ne besojmë se vënë në rrezik mundësitë që ne kemi ndihmuar që Kosova të krijojë. Nëse e shikoni që nga pavarësia e Kosovës, SHBA-ja fuqishëm ka mbështetur integrimin e tyre të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e multientike, por për të realizuar këtë vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Kosovës në masat për të fuqizuar paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha Miller më 7 gusht.
Miller tha prandaj e inkurajojnë Qeverinë e Kosovës që të kthehet “në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv” me ta, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Zëdhënësi i DASH-it tha se këto qëndrime ia kanë shprehur edhe privatisht Qeverisë së Kosovës, teksa theksoi po ashtu se nuk dëshiron që spekulojë për veprimet në të ardhmen.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka marrë rolin e “fact-checker”, duke ua përkushtuar një sërë postimesh në ‘Facebook’ raportimeve të sotme lidhur me Urën e Ibrit.
Ndaj gazetarëve të enjten janë orkestruar edhe foto-montazhe të rrezikshme ndaj gazetarëve dhe medieve, ndonëse nuk dihet se kush fshihet prapa kësaj fushate. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar lidhur me këtë, ku i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës ta hetojë rastin.
“AGK-ja, e sheh këtë fushatë si ekstremisht të rrezikshme për gazetarët dhe mediet, dhe fton Policinë e Kosovës me Njësitin Kibernetnik, që urgjentisht të hetojë prejardhjen e postimeve të tilla dhe të parandalojë vazhdimin e publikimit të tyre”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre. /Insajderi.org/