Pushteti shfrytëzon bisedën në WhatsApp mes Selimit e Buzhalës për ta goditur Gresa Cakën - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Pushteti shfrytëzon bisedën në WhatsApp mes Selimit e Buzhalës për ta goditur Gresa Cakën

    Insajderi
    13 February 2025 - 11:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ditë më parë u publikua një bisedë personale mes gazetarit Berat Buzhala dhe politikanit Petrit Selimi. Në bisedën e dyshes diskutohej për formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Emra të ndryshëm u përmendën për kryeministër të ardhshëm. U përmend edhe ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka.

    Në bisedat e publikuara në WhatsApp, ish-ministri Petrit Selimi e njoftonte gazetarin Buzhala për një mënyrë të formimit të qeverisë së re përmes koalicionit PDK – LDK.

    Sipas Selimit, kandidatë për kryeministër mund të ishin Blerim Shala, Gresa Caka, Vlora Çitaku, ose Bedri Hamza.

    Kjo bisedë e publikuar ka mjaftuar që të shfrytëzohet nga pushteti i tanishëm. Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, janë vërshuar me goditje ndaj Gresa Cakës, shkruan Insajderi.

    Duke filluar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila përmendjen e Gresa Cakës, e ka cilësuar si tentim për ta kthyer të “vjetrën e korruptuar”.

    “Prokuroria Speciale ka lëshuar materiale vetëm për të goditur VV-në në zgjedhje. Këta janë nomenklatura e vjetër e 20-vjeçarit që ende përpiqet të kthejë të vjetrën e korruptuar. Por askush nuk do të mund ta përmbys vullnetin popullor”.

    Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci. Ai pretendon se kjo bisedë tregon se si ka funksionuar Gjykata Kushtetuese.

    “Kapësat zanatin nuk e harrojnë, bashkë me sekserat e tyre! Kjo tregon se si ka funksionuar Gjykata Kushtetuese. Kapja e institucioneve ka qenë dhe mbetet mjeti kryesor i atyre që për pushtet shkëmbejnë pavarësinë e shtetit me interesa partiake”.

    Pa reaguar nuk ka mbetur as e “famshmja” e Vetëvendosjes, Dejona Mihali, e cila është koordinatore e komiteteve të kësaj partie.

    Ajo shkurt ka ngritur pyetje rreth këtij rasti.

    “E pse jo Blerim Isufajn? Çfarë ka më mirë Gresa Caka?”, ka shkruar Mihali.

    Deputeti i LVV’së, Dimal Basha, ka pretenduar se Buzhala e Selimi e drejtojnë opozitën, e bëjnë edhe pazare se çfarë pozite ta marrë Gresa Caka.

    “Pra sot u dëshmu që Berat Buzhala me Petrit Selimin e dirigjojnë komplet opozitën, duke bë pazare se çfarë posti me marrë ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, ku me shku Bedri Hamza, e ku me parku Lumirin!“.

    Arlind Manxhuka, zëdhënës i LVV’së, ka thënë se dyshja, Buzhala e Selimi, merren me negociata përbrenda opozitës.

    Këta janë këta. Vet merren me negociata përbrenda opozitës dhe tash në profile prapa së cilëve fshehen vet shkruajnë kinse cka po flitet. Njërit i doli biseda vet, tash edhe këtij tjetrit duhet t’i dalë llogaria që vet e mban në X. Jeni totalisht të dekonspiruar”, ka shkruar Manxhuka./Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark