
Izraeli ka urdhëruar ushtrinë të krijojë zonë sigurie në Siri përtej Lartësive të Golanit, në shenjë të rrezikut të mundshëm që shteti hebre ndien nga sundimtarët e panjohur në Damask pas rënies së diktaturës së Bashar al-Asad.
Një deklaratë nga zyra e ministrit të mbrojtjes Israel Katz të hënën konfirmoi pushtimin nga Izraeli të anës siriane të pikës së lartë strategjike të malit Hermon, i cili ndodhet në kufirin midis Sirisë, Libanit dhe Lartësisë Golan, pllaja që Izraeli pushtoi nga Siria gjatë Luftës Gjashtë Ditore më 1967-ën, përpara se ta aneksonte zyrtarisht më 1981-ën, raporton CNN, përcjell Insajderi.
Ai gjithashtu bëri thirrje për krijimin e një kontrolli izraelit të zonës neutrale në Lartësitë e Golanit dhe krijimin e një “zone sigurie” në territorin sirian përtej saj “pa armë të rënda strategjike dhe infrastrukturë terroriste”.
Katz urdhëroi trupat izraelite të kenë kontakte me popullsinë vendase në zonë dhe të parandalojnë kontrabandën e armëve nga Irani në Liban përmes Sirisë.
Deklarata gjithashtu tha se ushtria izraelite do të “vazhdojë operacionet për të shkatërruar armët e rënda strategjike në të gjithë Sirinë”.
Reuters raportoi se Izraeli kreu tre sulme ajrore në kryeqytetin sirian të dielën, duke cituar dy burime rajonale të sigurisë.
Të premten, ushtria izraelite tha se nisi sulme ajrore mbi pozicionet brenda Sirisë që sipas saj përdoreshin nga Hezbollahu për të kontrabanduar armë. /Insajderi.org/