Tre burra dhe një grua janë arrestuar në Pejë gjatë një aksioni kundër fajdeve. Ata dyshohen për “Fajde, Detyrim dhe Rrëmbim”. Për katër të dyshuarit është bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e Prokurorisë ku jepen detaje lidhur me grupin e fajdexhive.
Gazeta Insajderi ka raportuar se personat e arrestuar janë: Valbona Pakashtica, Irfan Pakashtica, Anes Pakashtica dhe Idriz Hajrizi.
Sipas dosjes që ka parë Gazeta Insajderi provat ndaj tyre u grumbulluan duke i përgjuar bisedat e tyre private.
Çka flitej në këto biseda?
Të dyshuarit kanë folur për miliona në Dubai dhe kanë pranuar se kanë kryer rrëmbime.
“Raporti 15 ditor për periudhën 01.02. 2024 deri me 15,02.2024 në të cilin nder të tjera ceket se të pandehurit Pakashtica kanë angazhuar të pandehurin Idriz që përmes forcës me i detyru Y. S. D me të jap 240,000 euro ndërsa keta do ta paguanin 40.000 euro të pandehurin Idriz”, thuhet aty.
Dy të dyshuarit Irfan Pakashtica dhe Valbona Pakashtica, kanë biseduar mes vetë edhe për detaje se si kjo e fundit ta joshë një person i cili është biznesmen.
Irfani e këshillon Valbonën që ta puth biznesmenin të shtiret para tij sikur është e mërzitur.
Dhe pas kësaj të i thotë se askush nuk e ka prekur në trup më parë.
“Transkripti i përgjimeve i datës 13.04.2024 në mes të pandehurës Valbona dhe Irfan ku ky i fundit kërkon nga e pandehura se si të përqafoj një person-biznismen se si të shtiret kishe po i shkojnë lotët, si ta puth dhe pastaj te t’i thot se mi kurrkush sum ka puth e as nuk më ka prek në trup kur po më bien mend Irfani jam muna me haru, kam fillu një simpati ndaj teje po mundona me ndi diçka ndaj teje- po ashtu i pandehuri Irfani i drejtohet te pandehurës Valbona se ne kemi pasuri milrinoa ne Dubai“, thuhet aty.
Në dosje që ka siguruar Gazeta Insajderi thuhet se të dyshuarit Anes Pakashtica dhe Idriz Hajziri nga të dëmtuarit kanë kërkuar 24o mijë euro edhe pse investimi ishte 120 mijë euro.
Ata këto të holla i kërkuan duke i kërcënuar viktimat se do i gjuajnë me bombë.
“Takimi i dates 20.06.2024 në mes të viktimave me të pandehurin Anes Pakashtica dhe Idriz Hajrizi ku ndër të tjera i pandehuri e pranon se investimi i tyre është 120.000, mirëpo nga të dëmtuarit kërkon që t’ia paguaj 240.000 në të kundërtën do të ju gjuaj bombe në shtëpi dhe i kërcënon në mënyra të ndryshme“, thuhet në dosje.