Mijëra email-e dhe dokumente të këtij komiteti u bënë publike duke ngjallur ankesa për një trajtim preferencial të zonjës Clinon ndaj rivalit të saj demokrat Bernie Sanders.
Duke folur nga qyteti port në oqeanin Paqësor, Vladivostok, zoti Putin tha se “nuk asnjë rëndësi se kush i mori të dhënat. E rëndësishme është se përmbajtja iu dha publikut”.
Që nga dalja e këtyre të dhënave është dorëhequr kryetarja e Komitetit Kombëtar Demokrat amerikan Debbie Schultz.
“Nuk di asgjë për këtë çështje”, tha zoti Putin duke shtuar se “në nivel shtetëror Rusia nuk ka bërë asnjëherë gjëra të tilla”.
Zoti Putin mohoi gjithashtu akuzat se kjo kishte qenë një përpjekje e Rusisë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve amerikane.
Ai tha se një veprim i tillë do të kërkonte njohuri të thella të politikës amerikane.
“Për të bërë një gjë të tillë duhet matur vazhdimisht pulsi i jetës politike në SHBA. Nuk mendoj se as ekspertët tanë të Ministrisë së Jashtme kanë këtë lloj ndjeshmërie.”
Intervista e presidentit rus u dha vetëm dy ditë përpara se ai të jetë së bashku me Presidentin Obama në takimin e G-20-tës që do të mbahet në Kinë.
Në muajin korrik, faqja e internetit Wikileaks botoi 20 mijë email-e të marra nga Komiteti Demokrat. Wikileaks nuk tregoi burimin e të dhënave, megjithëse një hacker i quajtur Guccifer 2.0 mori autorësinë.
Anëtarë të Partisë Demokrate dhe shërbimet amerikane të zbulimit kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur se prapa këtij sulmi fshihen shërbimet ruse të zbulimit.