Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry planifikon të udhëtojë për në Moskë javën e ardhshme, për bisedime me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, rreth luftës në Siri, në të cilën janë të përfshira në njërën apo tjetrën mënyrë të dyja vendet.
Liderët do të diskutojnë për “mënyrat se si mund ta lëvizim përpara në mënyrë efektive procesin politik, si dhe të përfitojmë nga kjo situatë”, ka thënë Kerry.
Me vendimin e Putinit për t’i hequr gjysmën e trupave ruse nga Siria, e po ashtu me bisedimet për paqe, Kerry thotë se situata në vendin e shkatërruar nga lufta ka arritur “në një fazë shumë të rëndësishme”, duke shtuar se ky moment duhet shfrytëzuar, e jo humbur.