Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë në takimin me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan se marrëdhëniet mes dy vendeve të tyre, janë duke u rikthyer “në format të plotë”.
Putin i bëri këto komente në Soçi, në hapjen e bisedimeve me Erdoganin që priten të fokusohen në konfliktin sirian.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë, vende që mbështetin palë të kundërta në konfliktin sirian, u përkeqësuan, pasi avionët turq rrëzuan një avion luftarak rus, në vitin 2015.
“Është mirë që kemi rastin të takohemi dhe të diskutojmë për çështje kyçe të bashkëpunimit dypalësh”, dhe çështjeve kryesore të agjendës ndërkombëtare, “përfshirë edhe krizën siriane”, ka thënë Putin, raporton agjencia TASS.
Ai ka thënë se marrëdhëniet ruso-turke “po bëhen të një karakteri të veçantë dhe po rikthehen në një format të plotë”.
Duke folur me gazetarët në Ankara, përpara se të nisej për në Soçi, Erdogan tha se zgjidhja politike për krizën në Siri është qëllim i përbashkët i Ankarasë dhe Moskës.
Rusia, Turqia dhe Irani po ndërmjetësojnë bisedimet e paqes për Sirinë, të cilat po mbahen në Astana të Kazakistanit.
Rusia dhe Irani janë mbshtetësit kryesor ushtarak të presidentit sirian Bashar al-Assad, ndërkaq Turqia mbështetë grupe të caktuara rebele, të cilët po tentojnë që ta largojnë nga pushteti Assadin.
Në këtë takim, Putin dhe Erdogan po ashtu pritet të bisedojnë për ndalesat tregtare që janë vendosur që prej përkeqësimit të marrëdhënieve më 2015, njofton rel.
Turqia ka tentuar të bindë Rusinë që të heq sanksione ndaj disa produkteve të agrikulturës. Erdogan ka thënë se dëshiron që sanksionet ruse të hiqen sa më shpejt që është e mundur.