Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe mbreti saudit, Salman, kanë biseduar përmes telefonit për krizën diplomatike rreth Katarit.
Në deklaratën e Kremlinit thuhet se mosmarrëveshja midis Katarit dhe disa vendeve arabe në Lindjen e Mesme nuk u ndihmon përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit në Siri ose luftës kundër terrorizmit.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti kanë ndërprerë lidhjet me Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetje të elstremistëve islamikë dhe të Iranit.
Doha i ka hedhur poshtë këto akuza.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të martën se izolimi ekonomik dhe politik i Katarit është “çnjerëzor dhe kundër vlerave islamike”
“Është sikur të jetë marrë dënim me vdekje për Katarin”, tha Erdogan. Irani po ashtu e mbështet Katarin.