PZAP gjobit me 10 mijë euro Sokol Halilin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    PZAP gjobit me 10 mijë euro Sokol Halilin

    Insajderi
    27 September 2025 - 15:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sokol Halili është gjobitur me 10 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas dy ankesave të dorëzuara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

    PDK-ja kishte paraqitur dy ankesa kundër Halilit, duke e akuzuar për përdorim të gjuhës kërcënuese, fyese dhe nxitje të urrejtjes ndaj kandidatit të saj për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku.

    Halili, kandidat për kryetar të Skenderajt nga subjekti “Iniciativa Qytetare për Skenderaj”, në një video-incizim të publikuar në rrjetin social Facebook ka krahasuar largimin e pushtetit lokal në Skenderaj me largimin e “pushtetit gjenocidal serb” dhe ndër të tjera ka përdorur shprehjet “kriminel”, “hajn”, “banda kriminale” “spiun”.

    Në ankesën e dytë, PDK pretendoi se se më datë 23.09.2025, Sokol Halili, nga subjekti në një debat televiziv, ka përdorur gjuhë kërcënuese, fyese dhe nxitje të urrejtjes ndaj kandidatit të PDK-së për kryetar të kësaj komune, Sami Lushtaku. 

    Në këtë debat televiziv, Sokol Halili, ndër të tjera, shprehet se “Sami Lushtaku është i njohur për famën e tij, karakteristikën e tij tipike kriminele ashtu siç është i njohur Millan Radojqiq në veri”, shkruan në vendimin e PZAP-së.

    PZAP i ka kërkuar po ashtu Halilit, që nga momenti i marrjes së këtij vendimi t’i largojë nga rrjeti social Facebook postimet e datës 22.09.2025.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark