
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Qazim Laçi, ka komentuar paraqitjen e ekipit pas fitores 1:0 ndaj Letonisë, të martën mbrëma në “Air Albania”. Ai u shpreh i kënaqur me performancën, por vuri në dukje se Shqipëria vazhdon të ketë probleme me finalizimin e rasteve.
“E kemi ditur se duhet patjetër të fitojmë. Në pjesën e parë kemi krijuar shumë raste. Si gjithnjë na mungon pak finalizimi. Kemi folur për këtë. Nuk është e lehtë kur kundërshtari mbrohet me pesë lojtarë. Si ndaj Serbisë, edhe sonte nuk ishte e lehtë. Por jemi shumë të kënaqur me paraqitjen. Kemi dëshirën dhe kemi krijuar rastin”, tha Laçi pas ndeshjes.
Ai gjithashtu foli për përballjen e ardhshme ndaj Serbisë në muajin tetor, e cila do të jetë vendimtare për fatin e kuqezinjve në Grupin K të kualifikimeve për Botërorin 2026.
“Shpresojmë që golat të vijnë në ndeshjen me Serbinë. Ndeshjen me Serbinë duhet ta marrim me mend. E kemi dëshmuar se nuk kemi frikë nga ndeshjet me Serbinë. Duhet të punojmë në finalizim. Çdo aksion që e kemi ta shfrytëzojmë”, përfundoi ai.
Shqipëria aktualisht mban vendin e dytë në grup me tetë pikë, ndërsa Serbia është në vendin e tretë me një pikë më pak, por me një ndeshje më pak të zhvilluar. Përballja e tetorit pritet të jetë një nga më të nxehtat e grupit.