Një ish-zyrtar i Policisë së Shtetit është qëlluar për vdekje me armë zjarri në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë.
Ngjarja ndodhi pak minuta pas orës 20 të mbrëmjes së të shtunës , në rrugën e ‘Kosovarëve ‘ në kryeqytet.
Autorët mesa duket kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të viktimës, dhe e kanë ndjekur këtë të fundit, për ta ekzekutuar teksa merrte ashensorin për tu ngjitur në katin e 3-të të pallatit ku jetonte.
Autorët dyshohet te kenë qenë të maskuar ndërsa mësohet se nuk kanë përdorur silenciator pasi të shtënat kanë alarmuar banorët e zonës.
Sipas policisë pista kryesore mbetet ajo për shkak të detyrave dhe konflikteve që Artan Çuku ka mbajtur dhe është përfshirë në kohën kur ka shërbyer në radhët e policisë.
Por kush është Artan Çuku? 42-vjeçari, baba i dy fëmijëve ishte një oficer karriere, deri në vitin 2013 kur u lirua nga policia. Çuku ka shërbyer si shef krimesh në Shkodër dhe Fier për t’u emëruar zv.drejtor i Policisë së Tiranës, në periudhën 2009-2011.
Më pas ai u transferua Drejtor i Policisë se Vlorës deri në vitin 2013, vit kur edhe u shkëput nga uniformat blu.
Pas kësaj periudhe 42-vjeçari kishte hapur një biznes në fushën e sigurisë private, por sipas policisë ai asnjëherë nuk ka denoncuar se ndjehej i rrezikuar dhe një informacion të tillë nuk e zotëronin as uniformat blu.