Një kongresmen republikan në Shtetet e Bashkuara është qëlluar e plagosur, së bashku me ndihmësit e tij gjatë një loje bejzbolli.
Steve Scalise, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, ka marrë një plumb në ije gjatë episodit të të shtënave, autori i të cilave, sipas rrjetit televiziv “Fox News” është qëlluar nga policia e ndodhet në spital.
Senatori Mike Lee pretendon se agresori ka vdekur, por krerët e policisë deklarojnë se ai është nën mbikëqyrjen e efektivëve.
CNN thotë se kishte edhe deputetë të tjerë që po ndiqnin lojën, ndërsa të plagosur kanë mbetur edhe dy efektivë policie.
Kongresmeni i Floridas, Ron DeSantis shpjegoi për mediet vendase se ishte larguar pak përpara se të fillonin të shtënat, por në kohën kur ka qenë duke iu afruar makinës së tij, një burrë i është afruar dhe e ka pyetur nëse stërvitjen po e ndiqnin republikanë apo demokratë.
Gati 3 minuta më vonë nisën krismat. Ndeshja e anëtarëve të Kongresit është caktuar të zhvillohet më 15 qershor. Tradita e nisur në vitin 1909 i sheh anëtarët republikanë dhe demokratë të Kongresit të krijojnë ekipe e të përballen me njëri-tjetrin në fushë.