Qendra e Paraburgimit në Lipjan s’ka hapësira të mjaftueshme për kontrolla mjekësore - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Qendra e Paraburgimit në Lipjan s’ka hapësira të mjaftueshme për kontrolla mjekësore

    Insajderi
    28 December 2016 - 15:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) i Avokatit të Popullit në raportin e monitorimit të Qendrës së Paraburgimit në Lipjan (QPL), ka evidentuar disa mangësi. Në raport thuhet se gjatë vizitës u konstatua se hapësirat ku ofrohen shërbimet mjekësore nuk janë të përshtatshme dhe janë të vogla.

    Po ashtu, në raport evidentohet edhe shqetësimi i personelit mjekësor lidhur me vonesat e përgjigjeve nga gjykatat në rastet e rekomandimeve të dërguara dhe kërkesave për leje të gjykatës për dërgim të paraburgosurve apo dënuarve për shërim jashtë QPL.

    “Personeli mjekësor dhe drejtoria kanë shprehur shqetësimin për faktin se në QPL akomodohen edhe të paraburgosur me probleme mentale për shkak të mungesës së hapësirës për akomodim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike apo ndonjë vendi tjetër adekuat. MKPT e Avokatit të Popullit rekomandon autoritetet relevante që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për vendosjen e këtyre personave në institucione të veçanta në pajtim me Rregullat Evropiane të Burgjeve të miratuara nga Këshilli i Evropës   dhe Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale”, thuhet në raport.

    Raporti i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës i Avokatit të Popullit ka dalë pas vizitave që ky institucion i ka bërë Qendrës së Paraburgimit në Lipjan më 7 shtator dhe 19 tetor 2016.

    Po ashtu, në raport konstatohet se kushtet ku mbaheshin të dënuarit ishin të mira, përderisa në pjesët e Qendrës së Paraburgimit në Lipjan ku mbaheshin të paraburgosurit, në disa qeli kishte pikuar uji dhe ato duhet të gëlqerosen, përderisa  tualetet dhe banjat ishin në gjendje të mirë.

    “Gjatë vizitës nuk janë hasur qeli të mbipopulluara as te të dënuarit, as te të paraburgosurit. Lidhur me njoftimin nga drejtoria e QPL-së se planifikohet mbyllja e kësaj Qendre dhe akomodimi i të paraburgosurve në objektin e ri në Hajvali, MKPT do të monitorojë situatën dhe do të kërkojë informatat e përditësuara nga autoritetet kompetente”, thuhet në raportin e MKPT-së.

    Raporti përmban edhe rekomandimet specifike sa i përket ushqimit, kontaktit me jashtë, procedurat e pranimit, si dhe procedurat e parashtrimit të ankesave.

    “Po ashtu, MKPT rekomandon që autoritet relevante të ndërmarrin hapa serioz për të mundësuar kontrolle të tilla sistematike në mënyrë që të detektohen me kohë sëmundjet e tilla dhe që, të sapo pranuarve, t’u bëhen kontrolle gjithëpërfshirëse mjekësore, si dhe inkurajon një qëndrim dhe praktikë të tillë të mos prezencës së zyrtarëve të sigurisë gjatë dhënies së shërbimeve mjekësore”, rekomandon raporti.

    Gjatë vizitës në këtë qendër, MKPT thotë se nuk pranoi asnjë ankesë nga të paraburgosurit dhe të dënuarit për keqtrajtim dhe përdorim të tepruar të forcës nga ana e zyrtarëve korrektues të kësaj qendre.

    “Ekipi monitorues gjatë vizitës nuk ka pranuar asnjë ankesë për dhunë ndërmjet personave të akomoduar në këtë qendër, si në pjesën ku akomodohen të paraburgosurit, ashtu edhe në pjesën ku mbahen të dënuarit. Megjithatë, gjatë vizitës, disa zyrtarë korrektues kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me kushtet e punës në përgjithësi”, thuhet në raport./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark