Qendra Evropiane për Liri të Shtypit, raporton për kërcënimin e kryeministrit Mustafa - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Qendra Evropiane për Liri të Shtypit, raporton për kërcënimin e kryeministrit Mustafa

    Insajderi
    22 March 2016 - 15:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në mëngjesin e 20 marsit, gazetari Vehbi Kajtazi publikoi një artikull në gazetën hulumtuese online Insajderi.com duke zbuluar se vëllai I kryeministrit ka ikur nga Kosova për të kërkuar azil në BE.

    Sipas artikullit, ai ka migruar për shkak të problemeve shëndetësore dhe ka tentuar të fitojë leje qëndrimi në Gjermani dhe Francë.

    Më vonë po atë ditë, Kajtazi mori një thirrje përmes Viber nga kryeministri, i cili e ka pyetur atë se pse ka publikuar artikullin në fjalë.  Kur gazetari i është përgjigjur se shkrimi ka pasur synim që të shpërfaq gjendjen e rëndë të shëndetësisë, kryeministri Mustafa i është përgjigjur se vëllai i tij është detyruar të lëshojë vendin për shkak të kancerit në fyt.

    Sipas Kajtazit, i cili është intervistuar nga ECPMF, kryeministri e ka fyer dhe kërcënuar atë, duke thënë se “vëllai im nuk është në duart e mija, por në duart e sëmundjes.  Ai ka kancer në fyt, more qen bir qeni”.

    Në artikullin e tij, gazetari nënvizon se Qeveria e Kosovës ka qenë shpesh e kritikuar nga autoritete ndërkombëtare për keqmenaxhim të sistemit shëndetësor.  Ndodh shumë shpesh që njerëzit që kanë sëmundje të ndryshme këshillohen të kërkojnë ndihmë jashtë vendit për shkak se trajtimi i nevojshëm nuk garantohet në Kosovë.

    Vehbi Kajtazi dhe Vullnet Krasniqi nga Insajderi.com, që është një gazetë hulumtuese online e themeluar në shkurt të këtij viti nga gazetarë me emër të gazetarisë hulumtuese, i kanë thënë ECPMF se ata janë të alarmuar nga ky kërcënim.

    “Për shkak të gjuhës së tij dhe guximit për të telefonuar gazetarin tonë, ne jemi të shqetësuar dhe e marrim këtë kërcënim seriozisht.  Për këtë arsye, ne kemi njoftuar policinë, të cilët kanë filluar hetimet.”

    Të kontaktuar nga ECPMF, Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk ka dashur të komentojë lidhur me rastin.  Sidoqoftë, Radio Evropa e Lirë e ka cituar kryeministrin duke thënë se ai nuk e ka kërcënuar gazetarin Kajtazi.

    Në anën tjetër, Kajtazi ka publikuar një “print-screen” ku shihet telefonata e bërë nga kryeministri në Viber, dhe thotë se zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës ia ka konfirmuar se numri që duket ne Viber në fakt është i kryeministrit Mustafa.

    Pritjet që ky rast të hetohet në mënyrë të drejtë janë të vogla.  Redaktori Vullnet Krasniqi thotë:

    “Duke marrë parasysh ndikimin e politikës në drejtësi, unë dyshoj se kryeministri do të dalë para gjykatës nën akuzat për kërcënim” ka thënë ai.

    Sipas tij, liria e medieve nuk ekziston në Kosovë.  “Vetë fakti që kryeministri thërret gazetarët tanë është e qartë se media është e kërcënuar nga qeveria”.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka protestuar të martën kundër kërcënimeve të gazetarëve nga qeveria./Insajderi.com

    European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF) është organizatë ndërkombëtare me më shumë se 30 anëtarë dhe merret me mbrojtjen e lirisë së shprehjes së mediave. Selia e saj ndodhet në Leipzig të Gjermanisë ndërsa më shumë informata mund të gjeni në: ecpmf.eu


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark