Shpërthimi i bombolës së gazit me të cilin bëhej ushqimi i shpejtë në një nga restorantet e qendrës tregtare kineze në Serbi supozohet të jetë arsyeja pse kjo e fundit ka marrë flakë.
Kështu të paktën po raportojnë mediat serbe, duke e cituar shefin e sektorit për situata emergjente, Luka Çaushiq, përcjell Gazeta Insajderi.
“Shefi i sektorit për situata emergjente, Luka Çaushiq, tha se shkaku më i mundshëm i shpërthimeve që u dëgjuan ishin bombolat e gazit nga restoranti i ushqimit të shpejtë që ndodhej aty. Ai u ka bërë apel qytetarëve që të mos i afrohen zjarrit, sepse me këtë rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e tyre”, thuhet në raportimin e mediave serbe.
62 zjarrfikës me 18 automjete, si dhe dy helikopterë kanë shkuar që ta shuajnë zjarrin në qendrën tregtare kineze në Beograd.
Sipas informacioneve të deritanishme, nga përfshirja e zjarrit nuk ka të lënduar. /Insajderi.org/