Qëndrimi i paqartë i Gjermanisë, po e dëmton unitetin e Perëndimit përballë Rusisë - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Qëndrimi i paqartë i Gjermanisë, po e dëmton unitetin e Perëndimit përballë Rusisë

    Insajderi
    02 February 2022 - 10:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga Mathieu von Rohr

    “Der Spiegel”

    Edhe pse ekziston një rrezik i qartë dhe i pranishëm për një luftë në Evropë, qeveria gjermane duket se nuk e ka njohur ende atë. Po si mund të shpjegohet kjo sjellje e çuditshme e Berlinit në qasjen e tij ndaj Moskës?

    Kjo është një çështje serioze pasi si shteti anëtar më i rëndësishëm në Bashkimin Evropian, Gjermania duhet të luajë një rol kyç në përpjekjet për zgjidhjen e krizës aktuale. Por ndërkohë ajo është shumë larg përmbushjes së kësaj përgjegjësie.

    Rusia po e kërcënon me luftë Ukrainën, dhe përgjigja e vetme e kancelarit gjerman Olaf Scholz ka qenë një kërcënim i paqartë me“pasoja” nëse Moska vendos të pushtojë Kievin. Po çfarë lloj pasojash? Scholz nuk na e thotë.

    Arsyeja e kësaj sjellje është më se e qartë:qeveria e koalicionit tre partiak e social-demokratëve të Scholz (SPD), Demokratëve të Lirë (FDP) që janë shumë miqësorë ndaj biznesit dhe e Të Gjelbërve, nuk ka arritur asnjë marrëveshje se çfarë lloj masash ndëshkuese mund të ndërmerren ndaj Rusisë.

    Dhe në një situatë kaq të rëndë si ajo që po zhvillohet në kufirin lindor të Ukrainës, kjo lloj sjellje është e papranueshme. Provat e sjelljes agresive të Rusisë janë të shumta. Fotot dhe videot satelitore, tregojnë përqendrimin e shumë trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën,si dhe dëshmi se njësitë nga zona të largëta të Rusisë janë zhvendosur tashmë në kufirin perëndimor të vendit.

    Atje ndodhen aktualisht më shumë se 100.000 ushtarë, bashkë me tanket dhe artilerinë e rëndë. Rusia ka lëshuar jo vetëm një ultimatum ndaj amerikanëve dhe evropianëve, që Ukraina të mos lejohet të anëtarësohet asnjëherë në NATO. Moska ka kërkuar gjithashtu që të rishikohet i gjithë regjimi i sigurisë evropiane i 25 viteve të fundit, pasi ajo pretendon se ndihet sie rrethuar nga NATO.

    Rusia kërkon që të gjitha trupat e NATO-s të tërhiqen nga vendet anëtare të aleancës në Evropën Lindore, si dhe garancinë që vendet fqinje skandinave të Finlandës dhe Suedisë të mos i bashkohen kurrë aleancës.

    Javën e kaluar, përfaqësues të SHBA-së dhe Rusisë u takuan midis tyre në Gjenevë për bisedime. Por më pas, zëvendësministri i Jashtëm rus Sergej Ryabkov tha se Rusia nuk ishte i interesuar për negociata të mëtejshme, pasi sipas tij amerikanët dhe NATO-ja nuk janë të prirur të përmbushin të gjitha kërkesat maksimaliste të Moskës.

    Dhe pavarësisht kësaj krize alarmante politike globale, qeveria gjermane ka qenë çuditërisht e rezervuar në komentet e saj. Ajo ka theksuar në parim se nëse Rusia do të nisë një sulm ndaj Ukrainës, do të veprojë në bashkëpunim me BE-në dhe NATO-n. Por Berlini nuk ka qenë në gjendje të premtojë se do të ndalë hyrjen në funksion të gazsjellësit “Nord Stream 2” që kalon nën Detin Baltik.

    Ky gazsjellës ka qenë prej kohësh shumë i diskutueshëm, pasi do të mundësojë dërgimin e drejtpërdrejtë të gazit natyror nga Rusia në Gjermani, duke anashkaluar si Ukrainën po ashtu edhe Poloninë. Me sa duket Berlini vazhdon të mendojë se është e mundur që ky gazsjellës të vazhdojë punën edhe nëse Rusia do të sulmojë Ukrainën.

    Në qarqet politike gjermane, të gjithë zyrtarët nuk po flasin aktualisht mbi atë që do të bëjë Berlini në kundërpërgjigje të një sulmi rus. Përkundrazi, ata po përqendrohen tek ajo që nuk do të bëjnë. Dhe kjo gjë nuk vlen vetëm për politikanët që i përkasin partive të koalicionit, por është e vërtetë edhe për Friedrich Merz, që do të votohet pak ditë më vonë si lideri i ardhshëm i Unionit Demokratik Kristian (CDU) konservator, partia kryesore opozitare në vend.

    Fundjavën e kaluar, ai shprehu kundërshtimin e tij për përjashtimin e Rusisë nga sistemi global i pagesave, SWIFT, që është një nga sanksionet e mundshme më të forta që është propozuar për t’u vendosur ndaj Moskës. Një lëvizje e tillë do të bllokonte qasjen e bankave dhe kompanive ruse ndaj rrjeteve ndërkombëtare të pagesave.

    Dhe përjashtimi i të gjitha llojeve të sanksioneve të ashpra, e lehtëson presionin ndaj Moskës dhe dërgon një mesazh të qartë:me një Gjermaninë që duket e dobët dhe e përçarë, Rusia mund të ndihet më e guximshme në kursin e saj aktual. Për më tepër, duke pasur parasysh faktin se brenda koalicionit qeverisës, ka avokatë të shquar të politikave agresive të Rusisë.

    E meta më e madhe në politikën e jashtme aktuale të Gjermanisë është aktualisht SPD e kancelarit Scholz. Siç e ka nxjerrë në pah kriza aktuale, një pjesë e madhe e zyrtarëve të kësaj partie, vazhdojnë të jenë shumë nostalgjikë kur bëhet fjalë për qasjen e tyre ndaj Moskës.

    Fundjavën e kaluar, deputeti i SPD-së Ralf Stegner u ankua në rrjetet sociale për “tonin shqetësues” të analistëve gjermanë mbi Rusinë, dhe se ata po përdorin “tonin e Luftës së Ftohtë”. Stegner i bëri qartazi jehonë të famshmes“Ostpolitik”, një term që i referohet politikës së kancelarit Willy Brandt për “ndryshim nëpërmjet afrimit” në vitet 1970, kur pati një zbutje të ndjeshme të raporteve midis Gjermanisë Perëndimore dhe Bashkimit Sovjetik.

    Nuk duhet harruar fakti se Ralf Stegner, nuk është një figurë shumë e rëndësishme brenda SPD-së, por sjellja e tij është tipike për këtë parti. Ndërkohë edhe Rolf Mützenich, kreu i grupit parlamentare të SPD-së në parlamentin gjerman, ka shprehur në një intervistë të kohëve të fundit mirëkuptim për “frikën dhe ndjenjën e kërcënimit” që po përjeton Rusia”, dhe shumë pak solidaritet për të njëjtat ndjenja që përjetojnë fqinjët e Rusisë.

    Në dhjetorin e vitit të kaluar, ai kërkoi që t’i jepet fund “kërcënimeve reciproke”. Por kur e kërcënoi Ukraina Rusinë? Dhe me çfarë?Natyrisht, duhet të kihet parasysh edhe pikëpamja ruse. Por jo kur Moska i ka vënë pistoletën në kokë fqinjes së saj.

    Një pjesë e problemit, është se shumë zyrtarë brenda SPD-së, dhe në Gjermani në përgjithësi, vazhdojnë ta shohin Gerhard Schröder si një ish-kancelar krejtësisht normal, dhe si një burrë shteti të moshuar. Në fakt, ai nuk është asgjë tjetër veçse një lobist me pagesë në listë-pagat e Moskës.

    Fatmirësisht, brenda kësaj partie ka edhe përjashtime të rëndësishme. Midis tyre është Michael Roth, kreu i Komisionit për Punët e Jashtme në Bundestag. Në një komentet për “Der Spigel”, ai mbështeti përdorimin e “Nord Stream 2” si një mjet presioni dhe pazaresh, dhe kërkoi që Gjermania të tregojë vendosmëri në ndërveprimet e saj me Rusinë.

    Gjatë fushatës, Scholz tha se nëse ai zgjidhej për të udhëhequr Gjermaninë, do të tregonte udhëheqje. Nëse është kështu, atëherë ka ardhur koha që ai të shprehet qartë sesi do të sillet ndaj Moskës, sidomos duke pasur parasysh mesazhet e përziera dhe retorikën e butë që vjen nga partia e tij.

    I vetmi person në qeverinë gjermane që ka pasur deri më sot një qëndrim më të qartë është Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock, Partia e Gjelbër e së cilës ka kundërshtuar qartazi ambiciet hegjemoniste ruse në të kaluarën, siç kanë bërë edhe shumica e zyrtarëve tëPartisë së Demokratëve të Lirë (FDP).

    Dy partnerët më të vegjël në qeverinë e koalicionit në Berlin, kanë një qëndrim më realist ndaj Rusisë sesa SPD. Ajo ofron një farë shprese, se qeveria mund të marrë në fund masa më të ashpra ndaj sjelljes agresive të Rusisë.

    Marrë me shkurtime nga Der Spiegel


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark