×
  • Lajme
  • Analiza

    Qëndrimi refuzues i Kurtit karshi partnerëve ndërkombëtar, cilat mund të jenë pasojat? Flasin njohësit e çështjeve politike

    Insajderi
    27 October 2022 - 23:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndonëse u kërkua që afati të shtyhet, 31 tetor i këtij muaji nga Qeveria e Kosovës është caktuar si datë kufitare për konvertimin e targave serbe. Kërkesën e ndërkombëtarëve që të shtyhet afati po e injoron Kurti. A nënkupton injorimi i kryeministrit një kryengritje karshi partnerëve ndërkombëtar. Dhe çfarë pasojash do të mund të prodhojë për Kosovën qasja shpërfillëse e Kurtit?

    Përkitazi me ketë temë, për Gazetën Insajderi kanë folur njohësit e çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi e Ismail Tasholli.

    Publicisti Shkelzen Maliqi argumenton se arroganca dhe mospërfillja ndaj kërkesës që aplikimi i targave të shtyhet për 10 muaj është dritëshkurtësi politike dhe diplomatike.

    Të tregohesh mospërfillës dhe arrogant ndaj kërkesës që aplikimi i targave të shtyhet për 10 muaj, ku nuk kontestohet e drejta e ndërmarrjes e një mase të tillë, është miopi politike dhe diplomatike. Nuk është presion që prek në esencën e çështjes, por nga Kurti kërkohet që t’ua jap edhe një afat përpjekjeve diplomatike që të zbuten qëndrimet serbe, që të binden edhe serbët e Kosovës, e edhe pushteti në Beograd, se është në interesin e tyre, që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse ku do të duhej të ishte e integruar edhe ajo e targave” – tha fillimisht ai.

    Tutje, Maliqi shtoi se Kurti me këtë mospërfillje po i bën favor ekstremizmit serb, dhe po u nxjerrë punë pa nevojë forcave të KFOR-it.

    Me refuzimin arrogant, Kryeministri Kurti i bën favor ekstremizmit serb që rebelojnë popullsinë në veri të Kosovës dhe bllokojnë rrugët, iu nxjerr pa nevojë pune forcave të KFOR-it, dhe legjitimon brengosjen e Beogradit se kinse pakica serbë në Kosovë është e torturuar dhe i kufizohen të drejtat” – shtoi ai,

    Publicisti Shkelzen Maliqi

    Madje, Maliqi konsideron se qëndrimi refuzues i Kurtit edhe nëse është taktik, prapë është politikë adoleshente dhe aspak e urtë.

    Edhe nëse qëndrimi refuzues i Kurtit është vetëm taktik, që më vonë e le të tërhiqet për shkak të presioneve të shtuara, si ndodhi me herët, edhe kjo është politikë aspak e urtë dhe adoleshente“- nënvizoi Maliqi.

    Sipas njohësit të çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, është koha që Kurti të mësojë edhe nga vlerësimet e e përhershme të gabueshme për rolin e SHBA-vë në pavarësimin e Kosovës.

    “Është koha që Kurti të mësoj diçka edhe nga vlerësimet e përhershme të gabueshme për rolin e SHBA-vë në pavarësimin e Kosovës. Nëse nuk e ka mësuar këtë të vërtetë, Kosova duhet të shqetësohet fort nga zhgënjimi i Uashingtonit“- përfundoi ai.

    Në anën tjetër, analisti i çështjeve politike, Ismail Tasholli thotë se kemi mbërritur në një fazë qesharake.

    Sipas tij po mundohemi me iu tregu Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova është shtet dhe se kërkesat e tyre janë absurde, duke shtuar se kërkesat po adresohen ndaj atyre që e “lindën” këtë shtet.

    “Relacionet me Amerikën (lexo Escobarin) nuk duhet te ndërtohen mbi premisa te taktizimit, por të partneritetit strategjik. Sepse, kam përshtypjen që ligjërimi publik i Qeverise është anomalik, kemi mrri në fazën më qesharake të mundshme: po mundohemi t’ua dëshmojmë Shteteve te Bashkuara te Amerikës që Kosova është shtet dhe kërkesa e tyre është absurde. Ata po thonë ish dashtë ta bëni ketë, ne po themi jo, sepse jena shtet. Po ju themi atyre qe e “lindën” ketë shtet“- tha Tasholli.

    Analisti Ismail Tasholli

    Ndryshe, Kurti iu bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të konvertojnë targat e makinave të tyre, duke shtuar se ky vendim nuk është i drejtuar kundër tyre, përkundrazi synon të krijojë lehtësi financiare për ta. 

    Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark