“Veprimet e njëanshme duhet të shmangen, autoritetet e Kosovës do t’i bënin shërbim të mirë vetes nëse do t’i dëgjonin aleatët”, kështu ka thënë sot zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano teksa theksoi se qëndrimi i BE-së është i qartë lidhur me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, shkruan Insajderi.
Sipas tij çështja e hapjes së Urës së Ibrit, duhet të diskutohet në kuadër të dialogu.
“Qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me çështjen e urës është thënë qartë në ditët dhe javët e kaluara dhe kjo i është komunikuar partnerëve në Prishtinë dhe është diskutuar gjerësisht me partnerët tjerë brenda BE-së, SHBA-në, NATO-n dhe KFOR-in. Qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar, nuk ka asgjë të re që mund të shtoj”, tha ai në një paraqitje.
Ai tha se veprimet e njëanshme mund të kenë ndikim negativ, jo vetëm te komunitetet, por edhe në administratën e Kosovës.
Ndërkohë, Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Ura e Ibrit duhej të ishte hapur që pas çlirimit të Kosovës, duke shtuar se vonesa për hapjen e saj është e pajustifikueshme.
Ai deklaroi se vërejtjet e ndërkombëtarëve për këtë çështje po merren në konsideratë, por theksoi se hapja e urës është një nevojë urgjente.
E presidentja, Vjosa Osmani tha se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë duhet të bëhet në bazë të një plani me partnerët ndërkombëtarë.
“Duhet, siç e parasheh edhe vetë plani i zbatimit të marrëveshjes së arritur në gushtin e vitit 2016, të kemi vlerësime të përbashkëta të sigurisë me partnerët tanë, dhe pas atyre vlerësimeve dhe planit të përbashkët, ajo do të përcaktojë pastaj datën”, deklaroi presidentja Osmani për Evropën e Lirë.
/Insajderi