Një orë pasi ministri i Bujqësisë, Faton Peci e quajti manipulant, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i ka kthyer përgjigje. E ka goditur në “thembrën e Akilit”, që është mbiemri i tij.
Postimi i Hotit nisi me frazën “Qenka nxehur z.Peci”. Sipas deputetit, ministri është i fortë në zanatin e tij, pra sharjen e kundërshtarëve politik.
Sipas tij, e vërteta që e ka thënë Hoti ka qenë e papranueshme për ministrin Peci.
Hoti ka shtuar se sharjet që i ka bërë ministri ndaj tij, nuk ia ka borxh as ky e as partia e tij.
“I paskan djegur shifrat zyrtare që i kam publikuar në mëngjes. I fortë është në zanatin e tij të sharjeve ndaj kundërshtarëve politik, në veçanti të atyre nga shtëpia e tij e vjetër politike. E vërteta dhemb, por e çliron njeriun. Mashtrimet nuk kalojnë. Mos u ngut. Sharjet nuk t’i kam borxh as unë dhe as partia ime”, ka shkruar Hoti në facebook.
I njëjti ka shtruar edhe një pyetje, e cila ka të bëjë me Asociacionin, “Çfarë po bëni të hënën në Bruksel? A kalon apo nuk kalon…. ZAJEDNICA“
Në anën tjetër, Peci i kishte kushtuar një postim të gjatë me “fakte” Hotit duke e quajtur edhe manipulant.
Shtatë muaj më parë, ministri kishte reaguar edhe rreth mbiemrit të tij, pra përdorimin e tij në aspekt negativ.
Ai kishte thënë se disa nga mediat nuk po e shohin punën e tij si ministër duke e mbuluar me raportim seksist.
I pari i MBZHR-së thonte se ndjehet keq kur mbiemri i tij përdoret në aspektin pezhorativ.
“Prej disa kohësh, në disa prej mediave online, sistematikisht jam bërë pjesë e fushatës denigruese në raport me mbiemrin tim. Pra, këto media punën time si ministër dhe si njeri i angazhuar në politikë po e mbulojnë nëpërmjet raportimit seksist apo përqeshjes në raport me mbiemrin tim. Puna e secilit e përmbushë emrin dhe mbiemrin. Ka të tillë që bartin histori pas vetes, sikundër që ka të tillë që janë pjesë e arealit të mbiemrave kosovarë. Është për keqardhje kur konotacioni pezhorativ përdoret nga një pjesë e atyre që lirinë e fjalës po e kthejnë në liri denigrimi” – tha Peci atëkohë.