Qetësohet Maqedonia – Nuk ka falje për politikanët e korruptuar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Qetësohet Maqedonia – Nuk ka falje për politikanët e korruptuar

    Insajderi
    07 June 2016 - 22:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tërheqja e vendimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për faljen e 56 zyrtarëve të lartë, vlerësohet si hap pozitiv që i hap rrugën rivendosjes së dialogut me opozitën për zgjidhjen e krizës së gjatë politike. Nga opozita presin edhe hapa tjerë për të garantuar punën e papenguar të Prokurorisë Speciale për hetimin e zyrtarëve të inkriminuar.

    Njohësit e çështjeve politike nuk e përjashtojnë mundësinë e pengesave të reja nga partitë në pushtet. Për të shtyrë para procesin për vizitë dy ditore në Shkup, qëndron i dërguari i posaçëm gjerman, Johanes Haindl.

    Vendimi i presidentit, Gjorge Ivanov për tërheqjen e të gjitha faljeve për zyrtarët e lartë shtetëror është vlerësuar si akt që i hap rrugën rivendosjes së dialogut për zgjidhjen e krizës politike në vend, edhe pse opozita kërkon edhe garanci tjera për t’u siguruar se veprime tilla nuk do të përsëriten.

    Lidhja Social Demokrate mbetet në qëndrimin se amnistia e Ivanovit për 56 persona, përfshirë ish kryeministrin, Nikolla Gruevski, ministra dhe zyrtarë tjerë të lartë, duhet të mbyllet me interpetimin e ligjit për falje për t’i pamundësuar presidentit përsëritjen e vendimeve të tilla. Veç kësaj, LSDM-ja kërkon edhe garantimin e papenguar të punës së prokurorisë speciale.

    “Gjykata Kushtetuese duhet patjetër të definojë statusin e Prokurorisë Speciale që të mos paraqiten sërish persona që do të kërkonin vlerësimin e kushtetushmërisë së ligjit për themelimin e saj. Pra, Kushtetuesja duhet të proncohet se themelimi i gjykatës është vendim i ligjshëm”, ka deklaruar zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.

    Vendimi i presidentit është mirëpritur nga VMRO DPMNE-ja në pushtet duke e vlerësuar si më të mirin për siç thuhet “zbardhjen e të gjitha konstruksioneve të opozitës kundër aktivistëve dhe anëtarëve të VMRO-së”.

    Ndërkohë, hapi i radhës së presidentit komentohet në forma të ndryshme nga njohësit e çështjeve politike.

    “Tërheqjen e faljeve duhet ta shohim si një hap të parë logjik drejt një marrëveshje të re mes partive politike. Nuk mund të paragjykoj se çfarë marrëveshje mund të ketë, por është fakt se vendimi i Ivanovit ka hapur mundësinë për bisedime të mundshme mes aktorëve kryesor të skenës politike pasi nuk besoj që kreu i shtetit vendimin ta ketë marr pa ndonjë sinjal paraprak se mund të ketë përpjekje të reja për zgjidhjen e krizës”, thotë Jovan Bliznakovski nga Instituti për Demokraci, duke pritur rezultate më konkrete gjatë vizitës së të dërguarit të gjerman në Maqedoni, Johanes Haindl, i cili të martën dhe të mërkurën, do të realizojë takime të shumta me liderët e partive politike për afrimin e qëndrimin për dalje nga kriza.

    Por, sipas një pjesë të analistëve, nuk përjashtohet mundësia e pengesave të reja në punën e prokurorisë speciale.

    Analisti Alajdin Demiri, thotë se pas tërheqjes së faljeve nga Ivanovi, që ishte rezultat i presioneve të fuqishme nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe protestave të shumta të shoqërisë civile, pengesat e radhës mund të vijnë nga gjykatat.

    “Sipas të gjitha gjasave kurthi i radhës do të jenë gjyqet për shkak se atë që nuk arriti ta bëj Ivanovi, atë që nuk arriti ta bëjë qeveria, tani aduti i fundit i ngelet gjyqësia. Fakti që Prokuroria Speciale do të përgatis lëndët të cilat do t’ia dërgoj për procesim në gjykatë, por shtrohet pyetje se ka gjykata të pavarura që do të merren me gjykimin e këtyre personave të dyshuar për krime të rënda”, thotë Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike.

    Vendimi i Presidentit është mirëpritur edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtar.

    Nga zyra e BE-së në Shkup thonë se “vendimi i hap rrugën vendosjes së dialogut mes partive për zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes së Përzhinës, përfshirë edhe punën e papenguar të Prokurorisë Speciale”.

    Vendimet e presidentit për faljen e zyrtarëve kishin nxitur reagime dhe protesta të shumta që kanë zgjatur për gati dy muaj. Protestuesit e “revolucionit shumëngjyrësh” kanë njoftuar ndryshimin e strategjisë së protestave, me bllokimin e udhëkryqeve kryesore në kryeqendër, duke nisur nga dita e mërkurë./REL

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark