Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka takuar qindra bashkatdhetarë nga Kosova në Zvicër të mërkurën.
Haradinaj është takuar me pjesëtarë të mërgatës në Fribourg të Zvicrës.
“Një bisedë e jashtëzakonshme në Friburg të Zvicrës me vëllezërit tanë shqiptarë. Kjo energji dhe ky potencial që e zotërojnë diasporën tonë është një mundësi e jashtëzakonshme që t’u krijohet hapësirë në vendlindjen e tyre për të investuar, për të qenë aktivë në jetën dhe vendimmarrjen e legjislativit tonë”, njoftoi Haradinaj për takimin.
Ai tha se miqtë që takoi në Fribourg i kërkuan eliminimin e burokracive që ka shteti i Kosovës.
“Mikpritja e organizuar nga Valdrin Hasanaj dhe familja e Zhelhasanëve si dhe bashkatdhetarë të shumtë, më bën të besoj se suksesi s’do të mungojë. Shumë nga miqtë që takova kërkonin eliminimin e burokracive që ka Kosova”, shkroi Haradinaj.
“Qeveria e ardhshme duhet të hapë një departament të veçantë për investimet e diasporës dhe duhet të shfrytëzohet përvoja akademike e vajzave dhe djemve nga diaspora. Të gjithë ishin të gatshëm për mbështetje të zhvillimit ekonomik të Kosovës, andaj ky kapacitet ekonomik i diasporës tonë duhet të shihet si mundësi e jashtëzajonshme që rinisë sonë t’i krijojmë perspektivë për zhvillim e mirëqenie në Kosovë, e jo atë ta kërkojnë jashtë saj”.