Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka gjetur se nuk ka përputhje mes gradës dhe pozitës në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Në këtë Drejtori, IPK ka gjetur se mungojnë edhe hetuesit policorë derisa ka dhënë edhe rekomandime se si të adresohen problemet brenda njësive të hetuesisë në Policinë e Kosovës.
Këto probleme janë identifikuar nga Inspektorati Policor i Kosovës në maj të këtij viti gjatë një inspektimi derisa ende nuk janë adresuar këto dy probleme shkaku i strukturës së re organizative në Policinë e Kosovës.
“IPK-ja i rekomandon Drejtorit të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit, që në koordinim me Departamentin e Burimeve Njerëzore, të shqyrtojnë situatën aktuale me burimet e disponueshme dhe ato të nevojshme, në mënyrë që kërkesat për plotësimin e vendeve të punës të jenë të bazuara në Strukturën organizative, duke eliminuar mospërputhjet gradë-pozitë dhe sistemuar personelin konform nevojave”, thuhet në rekomandimin e IPK-së .
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar vazhdimisht se ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin por Inpektorati Policorë i Kosovës ka gjetur këto mangësi
IPK ka evidentuar 15 raste kur punonjës të graduar nuk janë sistemuar në pozita që parashihen të ushtrohen nga grada përkatëse.
Kështu, një major ushtron detyrën në pozitën e cila parashihet të ushtrohet nga një punonjës me gradë më të lartë (nënkolonel) dhe 14 rreshterë ushtrojnë detyrat në pozita, që parashihen të ushtrohen nga punonjës me grada më të ulëta (zyrtari policor).
Madje, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike nuk ka udhëheqës dhe në mungesë të tij, udhëheqësit e dy njësive në kuadër të sektorit raportojnë në vijë vertikale dy shkallë më lartë, direkt tek Drejtori.
Lidhur me këtë se a ekziston ende kjo rrethanë, që nga muaji maj kur është evidentuar, Policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.
Në prill të këtij viti, ishte hapur konkursi për plotësimin e vendeve të lira dhe atë për një (1) toger, pesë (5) rreshterë dhe tetë (8) pozita për hetues, edhe pse kjo Drejtori në atë kohë e ka pasur të përmbushur strukturën me punonjës të gradës toger si dhe 14 rreshterë kanë ushtruar pozitën që është dashur të ushtrohet nga punonjës me gradë më të ulët.
Kurse, brenda konkursit nuk është përfshirë kërkesa për një (1) kapiten dhe zyrtarë policorë hetues që në numër të konsiderueshëm janë mangu.
E që edhe vet Policia e Kosovës, në planin e veprimit për këtë rekomandim ka thënë që duhet të merren veprime konkrete për të bërë sistemimin e personelit konform gjendjes aktuale dhe nevojave që janë shfaqur, në mënyrë që ushtrimi i detyrave në drejtim të hetimit të veprave penale të jetë sa më me efikasitet dhe efektivitet.
Lidhur me këtë “Betimi për Drejtësi” kërkuar nga DHKEK të na jap përgjigje lidhur me atë se a kanë vepruar konform rekomandimit të IPK-së dhe çfarë veprimesh kanë ndërmarrë që të minimizohet mospërputhje mes gradës dhe pozitës në këtë Drejtori, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për këto çështje, Policia e Kosovës është përgjigjur se është në proces të rishikimit të Strukturës Organizative dhe se janë të mbështetur edhe nga projekti i BE-së për të bërë reformim në Policinë e Kosovës, ku sipas Policisë, grupi punues pothuajse është në përfundim të punës.
Ndërsa, lidhur me hapjen e konkurseve për disa nga pozitat e lira, të njëjtit janë përgjigjur se konkursi është i ndërlidhur edhe me strukturën e re organizative.
Po ashtu, Policia e Kosovës, nuk ka kthyer përgjigje lidhur me atë se sa është numri i paraparë dhe sa është numri aktual në DHKEK për gradat: Kolonel, Nënkolonel, Major, Kapiten, Toger, Rreshter, Polic dhe Staf Civil, në mënyrë që të pasqyrohet struktura e plotë e kësaj Drejtoria dhe të shihet dallimet me atë të muajit prill 2021.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) e Policisë së Kosovës (PK) e cila është pjesë e Divizionit për Hetimin e Krimit në kuadër të Departamentit të Hetimeve përfshinë numrin prej 114 punonjësve bazuar në strukturën organizative.
Ndryshe, DHKEK është e ndarë në katër (4) Sektorë: Sektorin i Njësive Rajonale, Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike, Sektorin për Hetimin e Korrupsionit dhe Sektorin për Hetime Financiare.
Më poshtë shihni tabelën me të dhënat e kësaj Drejtorie të muajit prill 2021, në të cilën pasqyrohet mospërputhja gradë – pozitë.
Tabela për DHKEK prill 2021 | |||||
Grada | Burimet njerëzore | Mos përputhje gradë – pozitë | |||
Numri i paraparë | Numri aktual | Ndryshimi | Grada më e ulët se pozita | Grada më e lartë se pozita | |
Kolonel | 0 | 0 | 0 | 0 | 0 |
Nënkolonel | 1 | 0 | -1 | 1 | 0 |
Major | 1 | 2 | +1 | 0 | 0 |
Kapiten | 4 | 3 | -1 | 0 | 0 |
Toger | 12 | 12 | 0 | 0 | 0 |
Rreshter | 22 | 36 | +14 | 0 | 14 |
Polic | 69 | 39 | -30 | 0 | 0 |
Staf Civil | 5 | 5 | 0 | 0 | 0 |
Gjithsej | 114 | 97 | -17 | 1 | 14 |