Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë një hap përpara në drejtim të shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, një forcë e re mbrojtëse, që do ta dallonte nga ato që ka sot Kosova.
Për themelimin e FAK-ut është i nevojshëm edhe ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës. Andaj, kjo dikton nevojën e konsensusit politik me Listën Serbe, pasi që ky subjekt përfaqëson aktualisht shumicën e komunitetit serb në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.
Anëtarë të partisë politike Lista Serbe, thonë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, deri tash nuk ka ftuar askënd nga partia që të flasë për këtë çështje.
Deputeti nga radhët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq, thotë se deputetët serbë ende nuk kanë marrë një vendim lidhur me këtë çështje, shkruan REL.
“Kryeministri disa herë ka theksuar që do të formohet FAK-u, por nga ana tjetër, sa u takon deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, askush me ne nuk ka biseduar. Se a do të ketë ndryshime në të ardhmen unë nuk e di, por tash për tash sa i takon FAK-u nuk kemi zhvilluar bisedime”, thotë Rashiq.