Liburn Aliu, ministri i Infrastrukturës, i dha mjaft bujë lajmit për hapjen e njoftimit për dorëzimin e ofertave për punimet në kuadër të projektit të rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë. Megjithatë, në njoftimin në fjalë për shtrimin e rrugëve precizohet edhe pjesa diskriminuese ndaj kompanive vendore dhe favorizim të atyre arabe.
Në pikën shtatë të Kërkesës për Oferta në njoftimin e lëshuar për tenderin e Zgjerimit të Rrugës N2 Milloshevë-Mitrovicë, bëhet e ditur se do të ekzistojë “një kufi preference” për operatorët ekonomik saudit apo konserciumeve që përbëhen me nga një kompani gjegjëse nga Arabia, raporton Gazeta Insajderi.
“Një kufi preference do t’u jepet kompanive Saudite, ose kompanive Saudite ne konsorcium (Joint Venture JV) me kompanitë vendore, siç parashihet ne artikullin ITB 33.1 të Fletave te dhënave të Tenderit (FTD)”, thuhet në njoftimin e prokurimit.
Me një kërkesë të këtillë, Qeveria Kurti po bie ndesh me Nenin 7 të Ligjit për Prokurimin Publik, konkretisht pikën dy të këtij neni që parasheh se “Autoriteti kontraktues nuk do të ekzekutojë asnjë aspekt të aktivitetit të prokurimit në një mënyrë që redukton apo eliminon konkurrencën në mes të operatorëve ekonomik ose që diskriminon në dëm ose në të mirë te një ose më shume operatoreve ekonomik“.
Meqë ky projekt përkrahet nga Fondi Saudit për Zhvillim, nuk dihet nëse iu është imponuar Qeverisë Kurti nga mbështetësi financiar i projektit që ta bëjë këtë kriter të këtillë diskriminues ndaj kompanive vendore apo është bërë në mënyrë vullnetare që “t’iu hyjë në qejf”.
Punët ndërtimore, siç përvijohet në kërkesë, përfshijnë zgjerimin e rrugës ekzistuese, nga rrugë me dy korsi në një rrugë me dy drejtime te ndara me nga dy korsi ,secila me 3.75 m gjerësi, me korsi ndihmëse në të të dyja anët me gjerësi 2,0 m dhe objekte tjera anës rrugës. Shpejtësia e projektuar e rrugës është 60-100 km/h.
Në njoftimin e ministrisë së Infrastrukturës, precizohet se kompanitë janë të obliguara që t’i dorëzojnë ofertat me zarf të shënuar :“Punët ndërtimore ne Zgjerimin e seksionit nga 7.165 km te 16.95 km,
Milloshevë -Mitrovicë M2 – Lot 1” deri më 16 nëntor të këtij viti, në ora 12:00.
Para tri ditësh, ministri Aliu përmes një videoje të lëshuar në rrjetet sociale, tha se punët në këtë projekt pritet të zgjasin 12 muaj që nga momenti i përzgjedhjes së operatorit ekonomik.
“Punët ndërtimore përfshijnë zgjerimin e rrugës ekzistuese, rrugë kjo me katër korsi me dy drejtime të ndara, me korsi secila prej 3.75 m gjatësi e po ashtu edhe me korsi ndihmëse në të dyja anët me gjerësi prej 2.0m. Objekte ndihmëse dhe struktura tjera infrastrukturore si ura. Ky projekt financohet nga huamarrja nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar në bashkëfinacim me Fondin Saudit për Zhvillim. Kostoja e përafërt do të jetë rreth 30 milionë euro e kohëzgjatja e ekzekutimit të punimeve pritet të jetë 12 muaj, nga data e fillimit të projektit”, bëri të ditur ai.
Rruga nacionale Prishtinë-Mitrovicë ka hyrë në histori si rruga me zvarritjen më të gjatë të punimeve. Për këtë rrugë që synonte të lidhte Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën dhe fshatrat përreth punimet filluan më 2009-ën. /Insajderi.org/