Qeveria Kurti është kundërpërgjigjur lidhur me kërkesën e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për shtyrje dhjetëmuajshe të afatit për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Nga kabineti i kryeministrit Albin Kurtit, i kanë thënë REL-it se qeveria ka për obligim zbatimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe vendimet qeveritare.
Esbobar ka thënë të mërkurën për televizionin lokal, Kanal 10, se këtë kërkesë për shtyrje e kanë bërë të gjitha vendet e Kuintit – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.
“Ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, ka thënë Escobar.
Afati për riregjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.
“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat e zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatik edhe përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën”, është thënë në përgjigjen e Qeverisë për Radion Evropa e Lirë.
Në të, Qeveria u ka bërë sërish thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që t’i riregjistrojnë makinat duke “përfituar nga lirimi tatimor e doganor”.
“Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS”, është thënë në përgjigje.