Ministria e Mjedisit e udhëhequr nga Liburn Aliu ka shpenzuar afro 400 mijë euro për paga të 62 punonjësve të komuniteti serb, të cilët nuk kanë dal fare në punë, shkruan Insajderi.
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2023, ka gjetur se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që udhëhiqet nga Liburn Aliu ka shpenzuar 398 mijë e 164 euro për paga të 62 punëtorëve të nacionalitetit serb të cilët nuk kanë qenë prezentë në punë.
“Ndonëse kjo situatë po përsëritet, ministria ende nuk ka arritur që të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2023 ishte 398 mijë e 164 euro” – thuhet në raportin e ZKA-së.
Auditori ka vlerësuar se pagat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë dhe në mungesë të angazhimit për kryerjen e detyrave zyrtare, konsiderohen si pagesa të paarsyetuara dhe dëmtojnë buxhetin e ministrisë.
“Ministri duhet të analizoj situatën e krijuar duke siguruar se janë vlerësuar të gjitha mundësitë për gjetjen e një zgjidhje, dhe të ndërmerren veprime të cilat janë në përputhje me kërkesat ligjore”, thuhet në raportin e auditorit.
Ndërsa në raportin e ZKA’së, përgjigja e Ministrisë ka qenë që pajtohen me këtë të gjetur të ZKA-së.
Ndryshe, “Neni 9, paragrafi 2 dhe 3 i Rregullores (QRK), Për orarin e punës dhe pushimet e zyrtarëve publik, përcakton se “Çdo zyrtar publik është i obliguar që të shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik, varësisht se cilën e ka në përdorim institucioni dhe mos regjistrimi në librat e vijueshmërisë në punë apo në regjistrin elektronik, llogaritet si mos prezencë në punë”.
Insajderi.org