Qeveria e Albin Kurtit synon që përmes Ligjit për Sigurinë Kibernetike t’i jep fuqi ekzekutive ministrit të Punëve të Brendshme.
Gazeta Insajderi
Ministria e Punëve te Brendshme do ta ketë një rol të rëndësishme në zbatimin e Ligjit për Sigurinë Kibernetike.
Ligji i cili aktualisht është në fazën e projektligjit, e që parasheh parandalimin e sulmeve kibernetike dhe mbrojtjen kibernetike në Republikën e Kosovës, do të rregullohet me një akt të nënligjor të propozuar nga Ministri i ministrisë përgjegjëse për Punë të Brendshme, shkruan Gazeta Insajderi.
Në bazë të këtij akti nënligjor do të bëhet edhe përshkrimi i masave të sigurisë për sistemin e rrjetit dhe informacionit, të përdorur për ofrimin e një shërbimi esencial dhe kërkesat për përgatitjen e vlerësimit të rrezikut.
Po ashtu edhe procedurat dhe masat reaguese në rastin e incidentit kibernetike do të përcaktohen me aktin nënligjor të miratuar nga Ministri i ministrisë përgjegjëse për punë të brendshme, këtë rast Xhelal Sveçla, siç do të ndodh edhe me procedurat e marrjes së masave, shkruan Gazeta Insajderi.
Qeveria e Republikës së Kosovës me propozim të Ministrit të Ministrisë përgjegjëse për punë të brendshme me akt nënligjor, miraton rregullat dhe masat e sigurisë së qasjes së fëmijëve në internet, të cilin do të obligohen ta zbatojnë të gjithë ofruesit e shërbimeve të internetit në Republikën e Kosovës.
Derisa edhe koordinimi dhe bashkëpunimi i mekanizmave shtetëror për parandalimin e sulmeve kibernetike dhe mbrojtjen kibernetike në Republikën e Kosovës, do të rregullohet me një akt të nënligjor të propozuar nga Ministri i Punëve të Brendshme, i cili do të miratohet nga Qeveria e Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
Qeveria në shtator miratoi Projektligjin për Sigurinë Kibernetike
Qeveria e Kosovës më 14 shtator të vitit të kaluar e ka miratura Projekligjin për Sigurinë Kibernetike.
Kryeministri Albin Kurti pati thënë atë ditë se ky ligj ka për qëllim që të përcaktojë parimet e sigurisë kibernetike si dhe masat për parandalimin e sulmeve kibernetike në vend.
“Ky ligj ka për qëllim që të përcaktojë parimet e sigurisë kibernetike, institucionet që i zhvillojnë dhe zbatojnë politikën e sigurisë kibernetike, përgjegjësit e autoriteteve në fushën e sigurisë kibernetike, detyrat e subjekteve, bashkëpunimin ndërinstitucional si dhe masat për parandalimin e sulmeve kibernetike në Republikën e Kosovës”, deklaronte Kurti në mbledhjen e 15 shtatorit të vitit 2022, shkruan Gazeta Insajderi.
I pari i Qeverisë pati konfirmuar se me Projektligjin në fjalë do të themelohet Agjencia për Sigurinë Kibernetike.
“Përmes këtij projektligji themelohet Agjencia për Sigurinë Kibernetike që do të jetë institucioni kyç përgjegjës për caktimin dhje zbatimin e masave për sigurinë kibernetike në republikën tonë. Kjo agjenci do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve nacionale në fushën e sigurisë kibernetike. Agjencia do të ketë për detyrë të monitorojë, inspektojë dhe koordinojë aktivitetet e institucioneve përgjegjëse për sigurinë kibernetike si dhe të ndërmarrë masa në rast të moszbatimit të obligimit të parapara me këtë ligj”, thoshte Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.
Çfarë pune do të kryjë Agjencia për Sigurinë Kibernetike?
Neni i 13 i Projektligjit për Sigurinë Kibernetike parasheh themelimin e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike.
Kjo e fundit do ta ketë statusin e Agjencisë Ekzekutive, dhe do të jetë pjesë e ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
Kjo Agjenci do të jetë përgjegjëse për propozimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike në vend, do të monitorojë, inspektojë dhe koordinojë aktivitetet e institucioneve përgjegjëse për siguri kibernetike, si dhe të ndërmerr masa në rast të moszbatimit, në pajtim me këtë ligj.
Ky institucion po ashtu do ta ketë për detyrë reagimin ndaj kërcënimeve në hapësirën kibernetike të Kosovës, si dhe do të regjistrojë incidentet dhe kërcënimet kibernetike, shkruan Gazeta Insajderi.
Dënimet që parasheh Ligji për Sigurinë Kibernetike
Vepra të shumta penale e dënime më të ashpra pritet t’i shtohen sistemit kosovar me ligjin e ri për Sigurinë Kibernetike, i cili aktualisht është në fazën e projektligjit.
Veprat penale të cilat pritet t’i shtohen rendit juridik në vend janë:
Shpërndarja kompjuterike e materialeve pro gjenocid ose krimeve kundër njerëzimit e cila dënohet prej 3 deri në 6 vjet,
Përgjimi i të dhënave kompjuterike që dënohet prej 1 deri në 5 vjet,
Kanosja me motive racizmi përmes kompjuterit që dënohet deri në 3 vjet,
Shpërndarja e materialeve raciste në publike e cila dënohet deri në 2 vjet,
Pengimi i funksionimit të sistemeve kompjuterike që dënohet prej 3 deri në 7 vjet,
Keqpërdorimi i pajisjeve dhe programeve kompjuterike që dënohet prej 6 muaj deri në 5 vjet,
Falsifikimi kompjuterik që ndëshkohet deri në 6 vjet dhe Mashtrimi kompjuterik për të cilin janë paraparë deri në 5 vjet burgim
Përpos dënimeve me burgim ky projektligj ka paraparë edhe dënimet me gjobë të cilat mund të shkojnë deri në 10 mijë euro për operatorët të cilët nuk i ndërmarrin masat për parandalimin e krimeve kibernetike të përcaktuar me këtë projektligj, shkruan Gazeta Insajderi.
Ndryshe, institucionet e Kosovës vitin e kaluar ishin të ekspozuara ndaj sulmeve potenciale kibernetike,
Qeveria e Kosovës pati njoftuar se disa ueb-faqe të institucioneve të shtetit kanë qenë cak i një sulmi kibernetik, por nuk ka specifikuar cilat.
Sulmi, megjithatë, nuk kishte arritur të depërtojë brenda infrastrukturës së rrjetit kompjuterik shtetëror, pasi që, siç është thënë, “është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë”./Gazeta Insajderi/