OSBE konfirmoi të premten se ka arritur një marrëveshje me autoritetet kosovare që të organizojë presidencialet serbe në Kosovë, në kohën kur një numër shtetesh evropiane ia ndalojnë Turqisë qoftë edhe mitingje për fushatën e presidentit Erdogan.
Në fillim të muajit mars, tensionet mes Holandës dhe Turqisë u ngritën në nivel të lartë pasi që shteti holandez refuzoi Ministrin e Punëve të Jashtme turk që të vizitojë Roterdamin. Synimi i vizitës së diplomatit Cavusoglu ishte takimi me emigrantët turq, vetëm pak javë para se në Turqi të mbahet një referendum për t’ia rritur fuqinë presidentit Erdogan.
Qeveria holandeze ishte arsyetuar se i frikësohet ndasive politike në rritje në mesin e emigrantëve turq – të ndarë të kampe pro dhe kundër Erogdanit – ndërsa Cavusoglu ishte detyruar që nga Konsullata e Turqisë të akuzoi holandezët se po i trajton qytetarët e Turqisë si pengje, duke ua ndaluar lidhjet me Ankaranë.
Ai ishte ndaluar të merrte pjesë edhe në një takim të ngjashëm në Hamburg të Gjermanisë, vetëm një javë para kësaj.
Por, derisa një numër shtetesh evropiane ia ndaluan Turqisë që të organizojë qoftë edhe takime për fushatë, Kosova nuk mundet që as kësaj radhe të ndalë zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës.
Në fakt, të dielën, katër qendra grumbullimi të votave do të jenë të hapura nga mëngjesi, të cilat më vonë do të dërgohen në Vranjë e Rashkë për numërim.
OSBE njoftoi të premten se ashtu si edhe në vitet e kaluara, me miratim të autoriteteve kosovare, do të marrë përsipër organizmin e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Kosovë.
“Për të ndërmarrë këtë operacion, OSBE ka marrë një kërkesë nga Beogradi dhe miratimin e Qeverisë së Kosovës”, është shpjeguar në një komunikatë për media të OSBE-së.
Para se OSBE të dalë më njoftim zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve, autoritetet e Kosovës kanë preferuar të heshtin rreth kësaj çështje. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se lidhur me këtë cështje “do të vendosim në kohën e duhur” por kur kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në ditën e zgjedhjeve, nuk ka pasur ndonjë prononcim publik lidhur me ndonjë vendim të autoritete kosovare.
Ka pasur edhe kandidatë të këtyre zgjedhjeve që kanë ardhur për fushatë në Kosovë. Ish-ministri i Jashtëm, Vuk Jeremic, kishte qëndruar në Patriarkanën e Pejës ndërsa Qeveria e Kosovës i kishte dhënë leje disa orëshe edhe kryeministrit aktual, Aleksandar Vuçiq, që të vizitojë Kosovën.
Mediat serbe kanë raportuar se Aleksandar Vuçiq është kandidati favorit për të fituar në këto zgjedhje, ndërsa Vuçiq ka thënë që pret përkrahje të plotë nga serbët që jetojnë Kosovë për zgjedhjet e së dielës.
Rrjedhimisht, me ndihmën e serbëve të Kosovës, të cilët në këto zgjedhje tregojnë besnikërinë e tyre ndaj shtetit serb, vendi fqinj do të mund të zgjedhë një president i cili sërish do të mbajë qëndrim kundërshtues për shtetësinë e vendit.
Njohësi i zhvillimeve politike, Nenad Maksimoviq nga Qendra për Tolerancë dhe Paqe, i ka thënë REL-it ditë më parë se serbët e Kosovës dalin në votime për të dëshmuar lojalitetin ndaj shtetit të Serbisë.
“Serbët tradicionalisht tregojnë lojalitet ndaj shtetit të Serbisë duke votuar për kandidatin në pushtet. Kjo është pasojë e presionit të madh mbi popullatën, i gjithë sistemit, përmes një kushtëzimi subtil për përkrahje”, tha Maksimoviq.
Qytetarët e Kosovës para disa ditëve kanë organizuar protesta në disa qytete në kundërshtim të këtyre zgjedhjeve me arsyetimin se me këtë hap, Serbia shkel edhe më shumë sovranitetin e Kosovës. Banorë të Rahovecit ia ndaluan disa deputetëve serb të shkojnë në Hocë të Madhe për të bërë fushatë, ndërsa protesta bllokim rrugësh u organizuan edhe në ditën kur pritej ardhja e kryeministrit Vuçiq në Kosovë. /Insajderi.com