“Shumë skandale, e aq pak punë”, kështu e komentoi deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, Qeverinë e Kosovës në krye me liderin Albin Kurti. Në një intervistë për Gazetën Insjaderi, Bytqyqi tha se shtesat prej 50 eurove janë fyerje për qytetarët, pasi me to nuk mund të blesh pothuajse asgjë.
“Me gjasë kryeministri e ministrat e Kurtit nuk dalin kurrë deri në markete dhe nuk ia kanë idenë se çka mund të blesh sot me ato 50 euro”, u shpreh Bytyqi.
Për çdo veprim dhe mosveprim, Bytyqi thotë se Qeveria Kurti do ta marrë ndëshkimin me votë.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nuk beson se do të ketë lajm të mirë sa i përket liberalizmit të vizave në fund të këtij viti. Kjo pasi që BE ia shtoi edhe një kusht tjetër Kosovës.
“Është e turpshme qasja e BE’së ndaj qytetarëve të Kosovës, është i vetmi vend në Evropë që i pamundësohet lëvizja e lirë. Fajin e ka vetë BE’ja që nuk e mban fjalën, pasi Kosova i ka përmbushur kushtet e kërkuara”, deklaroi ajo.
Tutje, ajo tha se e përkrah Procesin e Vettingut, por, nuk beson se do të ketë sukses pa përfshirjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe pa përfilljen e qëndrimeve të Komisionit të Venedikut.
Intervista e plotë me deputeten e Kuvendit të Kosovës Albana Bytyqi
Insajderi: Si i komentoni zhvillimet politike në Kosovë?
Albana Bytyqi: Siç tash më e dimë, është një situatë me shumë dinamika, shumë zhvillime në skenën politike. Kemi një parti të re në pushtet që e ka shumicën ne Parlament por që me të vërtetë është zhgënjyese politik bërja e tyre, ka shumë arrogancë dhe aspak dialog. Më shumë është një regres që po ndodh në vend se sa progreset që tashmë partia në pushtet i ka proklamuar fuqishëm.
Insajderi: Si e vlerësoni punën e Qeverisë Kurti?
Albana Bytyqi: Qeveria Kurti e ka nis mbrapshtë gjithë qeverisjen e saj. Shumë skandale, e aq pak punë. Gjendemi në një krizë shumë të madhe, si ajo ekonomike që po i dërmon qytetarët për shkak të inflacionit e që qeveria del me pompozitet dhe mburrje tregon për vitrat që vendos t’ua jep qytetarëve me nga 50 euro dhe mendon se me aq kryhet gjithë problemi. Me gjasë kryeministri e ministrat e Kurtit nuk dalin kurrë deri në markete dhe nuk ia kanë idenë se çka mund të blesh sot me ato 50 euro. Kjo është fyerje ndaj qytetarëve. Pastaj krizat e tjera të njëpasnjëshme, ajo me energjinë ku është paralajmëruar rritje e energjisë elektrike e që pritet të jetë një dimër shumë i zorshëm për qytetarët tanë.
Insajderi: A mendoni se Qeveria Kurti është duke e menaxhuar si duhet krizën energjetike në vend?
Albana Bytyqi: Ne ditë me parë e kemi mbajtë një konferencë për media, ku kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me krizën energjetike në vend veçanërisht për paralajmërimet për shtrenjtimin e rrymës 30-40 për qind. Përveç që kjo do të dëmtojë shumë qytetarët të cilët veçse e kanë gjendjen e rëndë ekonomike edhe me çmimet e tjera të shtrenjtuar, rritja e energjisë do të jetë një kaos i vërtetë, një dëshpërim i madh, dhe nga ana tjetër edhe investitorët e huaj potencialisht do të mund të largohen nga Kosova. Pra qeveria duhet që menjëherë të ndërmarrë masa që direkte që ndalojnë ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Insajderi: Kosova po ashtu është duke u përballuar edhe me rritjen e çmimeve. Sipas jush si është menaxhuar kjo situatë nga qeveria?
Albana Bytyqi: Rritja e inflacionit e ka rënduar dhe më shume gjendjen e qytetarëve të Kosovës për shkak se situata e rëndë ka qenë edhe para inflacionit për shkak të pagave të vogla, tash në një situatë të re, ku çmimet janë shumë të larta që nuk e përballon dot një familje, është dëshmi e një qeverisje të dështuar e cila mendon se me një shumë simbolike e lehtëson gjendjen ekonomike. Ne kemi insistuar që Ligji për Pagat të merret seriozisht dhe sa më shpejt të miratohet në Kuvend por nga ajo që kemi pa është se në buxhetin për vitin 2023 nuk është paraparë përfshirja e këtij ligji që nënkupton që ky ligj nuk do të miratohet as vitin që vjen dhe kjo është një lojë e rrezikshme e qeverisë me administratën publike, pra përtej kësaj, duhet që të dal më plane konkrete që të ndihmojë qytetarët e vendit të vet pasi me të vërtetë gjendja financiare e familjeve është shumë e rëndë ndërsa çmimet bazike që çdo familjeje i duhen në shportën e ushqimit, janë tejet të shtrenjta. Qeveria Kurti do ta marrë ndëshkimin e saj me votë për çdo veprim a mosveprim të saj. Mirëqenia e popullit duhet të jetë primare.
Insajderi: Si e shihni procesin e liberalizimit të vizave, a besoni se do të përmbyllet deri në fund të vitit?
Albana Bytyqi: Fatkeqësisht me rrjedhën si ka ec ky proces, nuk besoj se do të kemi lajm të mirë sa i përket liberalizmit të vizave në fund të këtij viti, shto këtu edhe faktin se Kosovës i është shtuar dhe një kusht tjetër që lidhet me funksionalizimin e sistemit ETIAS. Është e turpshme qasja e BE’së ndaj qytetarëve të Kosovës, është i vetmi vend në Evropë që i pamundësohet lëvizja e lirë. Fajin e ka vetë BE’ja që nuk e mban fjalën, pasi Kosova i ka përmbushur kushtet e kërkuara.
Insajderi: Cili është qëndrimi juaj për procesin e vettingut?
Albana Bytyqi: Ne e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë këtë proces si të rëndësishëm dhe i kemi dhënë përkrahje por nuk besojmë se do të ketë sukses pa koncensus të plotë të brendshëm politik, pa përfshirjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës si dhe pa përfilljen në përpikëri të qëndrimeve të Komisionit të Venedikut.
Insajderi: Po, për çështjen e targave a mendoni se duhet të tërhiqet plotësisht Qeveria e Kosovës?
Albana Bytyqi: Ne si Aleancë, por edhe kryetari Haradinaj e potencon në vazhdimësi se veprimet tona duhet të jenë në koordinim me aleatin tonë të madh, pra ShBA’në. Pra vendimi i fundit i Kryeministrit për targat, ka qenë i paharmonizuar dhe i pakonsultuar me aleatët perëndimorë, posaçërisht me SHBA dhe këto veprime mund të jenë me pasoja për vendin tonë dhe për rrjedhojë të ketë edhe tensione. Kryeministri duhet të ndalojë së vepruari me arrogancë dhe me kryeneçësi. Do të ishte mirë dhe e rrugës që ta rishikojë vendimin për targat dhe të veprojë sipas kërkesës së aleatëve tanë!
Gazeta Insajderi