
Qeveria e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrim për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, edhe pas debatit 12 orësh.
Në një njoftim për media, Qeveria e Kosovës ka shprehur mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit në debat. Qeveria konsideron se gjatë diskutimeve, kanë dominuar argumentet që konfirmojnë procesin e shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi.
“Procesi i shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi është bërë në përputhje me aktet kushtetuese e ligjore të Kosovës, si dhe në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira që kanë të bëjnë me kriteret dhe aspektet tjera të realizimit të këtij procesi”, thuhet në komunikatë.
Qeveria ka bërë me dije se është e vendosur që të procedojë tutje këtë çështje, duke paralajmëruar kështu dërgimin e Demarkacionit në Kuvend për ratifikim.
“Në përputhje me qëndrimet racionale dominuese në këtë debat, Qeveria e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saj në procedimin e kësaj çështje më tutje”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.