Qeveria në detyrë – në shkelje të ligjit apo në mbrojtje të shtetit? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria në detyrë – në shkelje të ligjit apo në mbrojtje të shtetit?

    Insajderi
    07 October 2025 - 18:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeveria në detyrë e Kosovës kritikohet për marrje vendimesh, megjithëse ligjërisht ka kompetenca të kufizuara gjatë periudhës tranzitore.

    Ekspertët ligjorë paralajmërojnë se zyrtarët që mbajnë funksione të dyfishta – si ministra dhe deputetë – po shkelin Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë.

    Vendimet e ekzekutivit mund të kontestohen, por nuk mund të anulohen automatikisht.
    Anëtarë të Qeverisë në detyrë, që janë njëkohësisht edhe deputetë të Kuvendit, kritikohen nga përfaqësuesit e shoqërisë civile për keqpërdorim të autoritetit zyrtar dhe shkelje të hapur të Ligjit për Qeverinë.

    Një konflikt mes ligjit dhe praktikës së politikës po trazon skenën politike dhe institucionale të Kosovës.

    Anëtarë të Qeverisë në detyrë, që janë njëkohësisht edhe deputetë të Kuvendit, kritikohen nga përfaqësuesit e shoqërisë civile për keqpërdorim të autoritetit zyrtar dhe shkelje të hapur të Ligjit për Qeverinë.

    Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se zyrtarët që mbajnë funksione të dyfishta, tejkalojnë kompetencat e tyre.

    “Qeveria, sipas Kushtetutës dhe Ligjit [për Qeverinë] – tanimë të konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme – e di fare mirë që nuk mund t’i mbajë ato pozita [të ministrave dhe zëvendësministrave]. Mbajtja e tyre është kundër Kushtetutës dhe e kundërligjshme”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.

    Arbërie Nagavci është një prej zyrtarëve me dy poste – ministre në detyrë e Arsimit dhe deputete e Kuvendit.

    Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se merr pagën vetëm si ministre dhe jo si deputete.

    Zyrtarë të Qeverisë në detyrë e kanë arsyetuar këtë angazhim, përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili ka thënë se “shteti nuk mund të ketë vakum në qeverisje – Qeveria nuk mund të ketë ndalesë funksionimi”.

    Qeveria e tij është në detyrë nga 23 marsi, kur ka përfunduar mandatin 4-vjeçar.

    Kuvendi i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk ka arritur të konstituohet ende, për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë së re.


    Çka thotë ligji?
    Ligji për Qeverinë, në nenin 26, kërkon që çdo anëtar i Qeverisë që zgjidhet deputet, duhet të japë dorëheqje nga posti në ekzekutiv para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

    Por, edhe pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit – më 27 mars nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – 17 anëtarë të Qeverisë në detyrë, të certifikuar edhe si deputetë, vazhduan t’i ushtrojnë funksionet e tyre ekzekutive.

    Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ish-zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi i mbajtën të dyja pozitat deri më 26 gusht, kur u votuan nënkryetare të Kuvendit.

    Aktualisht, 15 zyrtarë mbajnë ende funksionet ekzekutive dhe legjislative njëkohësisht.

    A vihen në rrezik vendimet e marra?
    Më 15 korrik, Gjykata Supreme shfuqizoi një udhëzim administrativ të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke konfirmuar se ushtrimi i dy funksioneve – deputet dhe ministër – është i ndaluar sipas nenit 72 të Kushtetutës.

    Udhëzimi administrativ kishte të bënte me shfrytëzimin e pajisjeve fiskale.

    Qeveria në detyrë e quajti “arbitrar” vendimin e Supremes, por megjithatë e zbatoi.

    Gjatë ushtrimit të funksionit në detyrë, ajo mori edhe vendime të tjera dhe bëri disa emërime drejtorësh, përfshirë në Institutin e Kosovës për Administratë Publike, Agjencinë Kosovare për Forenzikë dhe Inspektoratin e Arsimit.

    Po ashtu, ekzekutivi dhe ministrat në detyrë miratuan disa rregullore, si atë për trajnimin, testimin dhe certifikimin e inspektorëve, rregulloren për procedurën e pranimit në shërbimin civil, si dhe ndryshimin e statutit të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Mitrovica Sh.A.”.

    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjithashtu, revokoi licencën e Shoqatës për Administrim Kolektiv të të Drejtave të Autorit (APIK) dhe ia dha Shoqatës së Kosovës për të Drejtat e Muzikës.

    Por, a mund të kontestohen emërimet dhe vendimet e ekzekutivit në detyrë, nëse Prokuroria nis hetime për përgjegjësi penale ndaj Qeverisë dhe ministrave në detyrë?

    Sipas Gëzim Shalës, jo domosdoshmërisht. Ai thekson se duhet të ruhet siguria juridike, sidomos për qytetarët që mund të jenë përfshirë në këto procedura.

    “Për këtë arsye, nuk mund të thuhet se automatikisht bien të gjitha vendimet, përveç rasteve kur ndonjë prej tyre është potencialisht korruptiv”, shpjegon Shala.

    Megjithatë, shton ai, palët që mendojnë se janë dëmtuar nga aktet nënligjore të miratuara nga Qeveria në detyrë, mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme.

    Edhe vendimet që prekin raste individuale, qytetarët kanë të drejtë t’i adresojnë në gjykatat e rregullta, thotë Shala.

    A ekziston baza ligjore për hetimin e përgjegjësisë penale?
    Përfaqësues të shoqërisë civile dhe disa ish-opozitarë thonë se ka bazë ligjore për hetimin e përgjegjësisë penale të zyrtarëve nga institucionet e drejtësisë.

    Radio Evropa e Lirë kërkoi konfirmim nga Prokuroria Speciale e Kosovës, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

    Qysh në maj, Lidhja Demokratike e Kosovës – që në legjislaturën e kaluar ishte në opozitë – ka dorëzuar 17 kallëzime penale në Prokurorinë Speciale ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ministrave dhe një zëvendësministreje në detyrë, të cilët janë zgjedhur edhe deputetë.

    Ata u akuzuan për shkelje të Ligjit për Qeverinë dhe keqpërdorim të mundshëm të pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Këto kallëzime u dorëzuan nga deputetet e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili dhe Hykmete Bajrami.

    Kica-Xhelili thotë se më 5 qershor Prokuroria Speciale u ka kërkuar, përmes një letre, informacione shtesë lidhur me shkeljet e pretenduara, dhe që nga ajo kohë nuk kanë pasur kontakt tjetër.

    “Ne e kemi shpjeguar bazën ligjore përse ata nuk kanë të drejtë të marrin vendime dhe nuk mund t’i shfrytëzojnë asetet e shtetit. Krejt çka kemi pranuar është ajo letër”, thotë Kica-Xhelili për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas saj, mundësia për hetim penal ekziston në dy rrafshe: anëtarët e Qeverisë në detyrë që janë edhe deputetë nuk mund të marrin vendime, dhe nuk mund të shfrytëzojnë asetet e shtetit nga pozicioni ekzekutiv.

    Ministrja në detyrë, Nagavci, konfirmon se hetuesit i kanë kërkuar të dhëna për vendimet që ka marrë ministria që ajo udhëheq, gjatë kohës në detyrë.

    “Ua kemi dërguar me shkrim materialet që i kanë kërkuar. Intervistë ose ndonjë ftesë nuk ka pasur – së paku jo për mua”, thotë Nagavci.

    Sipas Kodit të Procedurës Penale, prokurori ka të drejtë që brenda 30 ditësh nga dorëzimi i kallëzimit penal të kërkojë informacione shtesë për të verifikuar nëse pretendimet e përfshira janë të bazuara.

    Në këtë rast, pasi prokurori ka kërkuar informacion shtesë, ai ka afat gjashtë muaj nga data e paraqitjes së kallëzimit fillestar për të nxjerrë aktvendim për hedhjen poshtë të kallëzimit penal ose për nisjen e hetimeve.

    Mexhide Demolli nga Lëvizja FOL – organizatë joqeveritare që angazhohet për promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike – thotë se një njoftim nga Prokuroria për të treguar nëse i ka nisur apo jo hetimet tashmë, do të ishte me interes për publikun.

    “Fatkeqësisht, ka shumë zvarritje në shumë procese, dhe kjo nuk bën përjashtim. Do të kalojë kohë derisa të kemi një vendim ose një njoftim zyrtar nga Prokuroria Speciale për atë se çfarë po ndodh me këtë çështje”, thotë Demolli për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas Shalës, Prokuroria është brenda afateve ligjore, por nuk do të thotë se “duhet të presë ditën e fundit të afatit për të dhënë njoftimin lidhur me rastin”.

    Implikimet në skenën politike
    Më 12 tetor, Kosova do të mbajë zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe asambleistë komunalë. Aktualisht, partitë politike janë në fushatë zgjedhore.

    Shala thekson se çdo vendim i Prokurorisë, çfarëdo qoftë ai, mund të ndikojë në zhvillimet politike, por kjo nuk duhet të jetë shqetësim për institucionin.

    “Prokurori i Shtetit, si institucion ligjzbatues, nuk duhet të marrë parasysh se si një çështje mund të ndikojë në zgjedhje ose në politikën ditore”, thotë ai.

    Ngjashëm mendon analisti Imer Mushkolaj. Sipas tij, Prokuroria dhe institucionet e tjera të drejtësisë duhet të japin përgjigje sa më shpejt, veçanërisht kur vendimet ndikojnë në ekzekutiv.

    Megjithatë, Mushkolaj shton se në Kosovë palët politike shpesh interpretojnë vendimet e drejtësisë në mënyra të ndryshme.

    “Një qasje e tillë, fatkeqësisht, do të mund të vazhdonte edhe po qe se do të kishim tash një vendim ose përgjigje nga ana e Prokurorisë, sidomos kur jemi edhe më afër mbajtjes së zgjedhjeve lokale, si dhe mundësisë që të mbahen zgjedhje të tjera të parakohshme [parlamentare]”, thotë Mushkolaj.

    Kosova është në pritje të publikimit të akgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të datës 30 shtator, me të cilin ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar dhe se ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark