
Buxheti i Kosovës është i pamjaftueshëm për veteranët e luftës së fundit në Kosovë këtë e bëjnë të ditur zyrtar të Qeverisë. Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se buxheti i ndarë për këtë kategori është 25 milionë euro.
Kjo shumë, sipas ndarjeve buxhetore, është planifikuar për një numër prej mbi 12 mijë veteranëve të luftës.
Por, në muajin maj, qeveria ka ndarë për këtë kategori 170 euro pensione, për 23 mijë persona, ndërkohë që llogaritet se janë deklaruar rreth 42 mijë veta që kanë kërkuar statusin e veteranit.
“Lista që është dorëzuar në qeveri nga komisioni, përfshinë 46 mijë veteranë. Pra, është e dukshme që buxheti që kemi ndarë për sivjet nuk plotëson as për së afërmi të gjitha kërkesat që kemi për të paguar pensionet për veteranët”, ka thënë Hoti për Radio Evropa e Lirë.
Ndërsa zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies sociale thotë se deri tani janë 23 mijë persona që nuk punojnë askund dhe marrin pension rreth 170 euro në muaj.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se numri i veteranëve të luftës është 46, 230. Por, siç thotë ai, jo të gjithë përfitojnë beneficione nga shteti.
Ai ka thënë se këtu është një keqkuptim ngase pension marrin vetëm ata që janë të papunë dhe kanë gjendje të rëndë sociale.
Tema e veteranëve të luftës së Kosovës është temë debati qe një kohë të gjatë, ngase ka dyshime se numri i tyre është i fryrë, numri i tyre llogaritet të jetë shumë më i vogël. /Insajderi.com