
Pyetjet parlamentare janë mekanizëm përmes së cilës deputetë ushtrojnë funksionin e tyre mbikëqyrës ndaj Qeverisë. Mos përgjigjja ndaj pyetjeve të deputetëve nga Qeveria nënkupton edhe shmangie të llogaridhënies, thuhet në një njoftim të projektit ‘votaime.org’.
Që nga fillimi i punës së kësaj legjislature, deputetët kanë parashtruar gjithsej 235 pyetje parlamentare. Prej tyre 69 pyetje kanë mbetur pa përgjigje (30%), kurse 166 prej pyetjeve kanë marrë përgjigje nga Qeveria (70%).
Kështu u njoftuar nga projekti votime.org që ka dalë me rezultatet e hulumtimit.
Ky hulumtim ka gjetur se subjekti me më së shumti pyetje parlamentare të parashtruara është VV me 82 pyetje, pasuar nga PDK me 66, AAK me 39, LDK me 29, NPK me 13, LS me 2, dhe deputetët pa grup parlamentar 4 pyetje/
Nga subjektet politike të komuniteteve jo shqiptare, vetëm Lista Serbe ka parashtruar dy pyetje parlamentare, kurse të tjerat nuk kanë parashtruar asnjë pyetje parlamentare për Qeverinë. Prej 69 pyetjeve për të cilat kabineti qeveritar nuk ka dhënë përgjigje, grupit parlamentar të VV-së nuk u janë dhënë përgjigje në 34 pyetje, PDK-së në 11 pyetje, NPK-së në 8 pyetje, LDK-së dhe AAK-së në 7 pyetje, LS-së në 1 dhe 1 pyetje tjetër ka mbetur pa përgjigje nga deputetët pa grup parlamentar.
Shikuar sipas përkatësisë partiake të ministrave, më së shumti pyetje janë parashtruar për ministrat nga radhët e LDK-së (159) krahasuar me ata të PDK-së (69). Ministrat që vijnë nga LDK janë përgjigjur në 111 nga 159 pyetje parlamentare (70%), ndërsa, ministrat nga radhët e PDK-së janë përgjigjur në 49 nga 69 pyetje parlamentare të parashtruara për ta (71%).