Qeveria e Kosovës nuk do ta procedojë Marrëveshjen për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi për ratifikim në Kuvend, para datës 3 gusht, kur pritet të mbahet tryeza mes ekspertëve, deputetëve, shoqërisë civile rreth kësaj çështjeje.
Pavarësisht se javë më parë e kishte futur në agjendë për dërgim në Kuvend, pas kundërshtimeve të shumta, madje edhe nga partneri i koalicionit qeverisës PDK-ja, kryeministri Isa Mustafa kishte tërhequr nga rendi i ditës.
Ekzekutivi është i vendosur që ta dërgojë për ratifikim Marrëveshjen e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Por, njëherë ka vendosur ta presë mbajtjen e tryezës më 3 gusht, për t’i parë argumentet e njërës dhe palës tjetër e pastaj për ta proceduar në institucionin më të lartë ligjvënës për ratifikim.
Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, njëherësh ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili ka thënë se nuk e kanë caktuar ende ditën kur do ta procedojnë, por nuk beson para mbajtjes së tryezës për demarkacionin.