Qeveria serbe merr një vendim Igor Popoviqin pas pranimit të fajësisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria serbe merr një vendim Igor Popoviqin pas pranimit të fajësisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë

    Insajderi
    16 August 2025 - 12:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeveria e Serbisë ka bërë të ditur se ia ka përfunduar mandatin Igor Popoviqit, i cili mbante pozitën e ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën. Vendimi duket se është i vlefshëm prej 13 gushtit, por aty nuk janë ofruar më shumë arsyetime.

    Popoviq ishte i angazhuar në sektorin për mbrojtje juridike në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

    Ky vendim është marrë disa ditë pasi ai e ka pranuar fajësinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Dënimi prej gjashtë muajsh burgim, i marrë më 8 gusht, i është zëvendësuar me gjobë prej 3.000 eurosh, dhe ndalim të hyrjes në Kosovë për dy vjet.

    Ndonëse ai e ka pranuar fajësinë në gjykatë duke thënë se nuk i është ushtruar presion, Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka thënë të nesërmen se Popoviq e ka nënshkruar marrëveshjen me prokurorët në Kosovë “nën presion dhe pa vullnetin e tij”.

    Autoritetet e Kosovës e kanë hedhur poshtë këtë pretendim.

    Ai është ndaluar nga autoritetet e Kosovës më 18 korrik, pas një fjalimi që ka mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit, përgjatë së cilit e ka përshkruar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”.

    Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se nuk do të tolerojnë që të fyhet dhe përdhoset historia dhe lufta e udhëhequr nga UÇK-ja.

    UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

    Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

    Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.

    Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte./REL/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark