Qeveria tregon se çfarë u diskutua në takimin Kurti-Lajçak-Escobar, ‘fsheh’ kërkesën për Asociacionin – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Qeveria tregon se çfarë u diskutua në takimin Kurti-Lajçak-Escobar, ‘fsheh’ kërkesën për Asociacionin

    Insajderi
    13 December 2022 - 21:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak si dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim është diskutuar për dialogun me Serbinë dhe është arritur dakordim që barrikadat e vendosura në rrugët e veriut, duhet të hiqen.

    Por, në njoftimin e qeverisë nuk është përmendur kërkesa e Escobar për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Pas takimit, në një deklarim për mediat, Escobar ka thënë se ka qenë “shumë i qartë” në këtë kërkesë të tij para kryeminsitrit të Kosovës.

    “Unë e bëra të qartë edhe pritjen time që të fillojmë të flasim për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. E bëra shumë të qartë, prandaj shpresoj që do të shohim angazhim gjatë kësaj krize në një të ardhme të afërt”, ka deklaruar Escobar pas takimit me Kurtin. 

    Në njoftimin për media thuhej se kishte dakordim të përbashkët që duhet të hiqen barrikadat në veri të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes.

    “Diskutuan për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hapat e mëtejmë, zhvillimet e fundit në vend dhe çështjet aktuale. Në takim kishte dakordim të përbashkët që duhet të hiqen barrikadat në veri të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

    Përmes gatishmërisë për takime dhe diskutim, Qeveria ka theksuar se Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi së është palë konstruktive që angazhohet për arritjen e një marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve të ndërsjella me Serbinë me njohjen reciproke në qendër.​


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark