Qeveria e Kosovës ka reaguar të mërkurën pas publikimit të lajmit se vetura e bashkëshortes së Ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi, është djegur mbrëmë në orët e para të mëngjesit.
Përmes një deklaratë për media, Qeveria e Kosovës e ka quajtur këtë rast si r si “sulm të paprecedent kriminal.”
“Sulmi është në vazhdën e sulmeve që janë kryer së fundi kundër bartësve legjitim të institucioneve të Kosovës dhe ministrit Krasniqi, nga grupe anarkiste parapolitike, synon të krijojë atmosferë të dhunës dhe frikës, si dhe të pengojë punën e Qeverisë së Kosovës dhe rezultatet konkrete të Ministrisë së Bujqësisë si një ndër sektorët prioritar për zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se sulmi ndaj ministrit Memli Krasniqi, i kryer nga njerëz të cilët pasi kanë humbur arsyen, duke mos zgjedhur mjete dhe mënyra radikale, po përpiqen ta zhysin vendin në kaos dhe anarki, për përfitime të caktuara, thuhet në reagim.
Mbrëmë rreth orës 1 të mëngjesit, vetura e familjes Krasniqi e parkuar afër banesës ku ata jetojnë, është vënë nën flakë pasi është sulmuar me shishe molotovi. Sipas policisë, vetura është djegur nga dy persona./Insajderi