Partia e Ashkalinjve për Integrim (PAI) duket se ka filluar të shuhet, krejt kjo pas pakënaqësive të sekretarit e disa antarëve të partisë që kanë pasur karshi kryetarit dhe strukturave të tjera, shkruan Insajderi. Një nga arsyet e shpërbërjes së partisë më të votuar nga komuniteti i ashkalinjve është edhe “pazari” ndërmjet Qeverisë Kurti e deputetit të Kuvendit nga radhët e PAI-së, Bekim Arifi shkruan Insajderi.
Insajderi
Një ditë më parë, sekretari i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Qazim Rrahmani ka dorëzuar dorëheqjen e tij nga partia.
I kontaktuar nga Gazeta Insajderi në lidhje me arsyen që e shtyu Rrahmanin drejt këtij vendimi, ai tha se arsyeja kryesore është kryetari i partisë, Etem Arifi i cili sipas tij ai “nuk është mbushur mend” pavarësisht dështimeve që kishte.
“Nëse shihni raportin e auditorit mundeni me pa që raporti tregon qe ka keqpërdorim te buxhetit dhe ne jemi mundu me ndihmu kryetarin edhe pse ai as në parti nuk ishte më mire e as në shtet. Nuk është mush mend. Nuk mund te kemi lider te tillë, pavarësisht thashethemeve që janë bërë për mua, unë me ligj e gjykatë qëndroj në rregull“, tha Rrahmani për Insajderin.
Arsyeja e dytë pse Rrahmani, si më i votuari nga komuniteti i tij dha dorëheqje, sipas tij është fakti se deputeti i cili është në listë në Kuvendin e Kosovës është djali i migjës së kryetarit të PAI-të, deputeti Bekim Arifi.
Rrahmani tha se Arifi për dy vite me radhë sa shërbeu si deputet nuk e kishte ngritur asnjëherë zërin për të drejtat e ashkalinjve apo për përfaqësimin dinjitoz të komunitetit.
“Arsyeja e dytë është se deputetin që e ka fut në liste është djali i migjës së tij dhe për dy vite asnjëherë se ka ngit zonin për komunitetin tu e ditë gjendjen e rëndë, u bë vegël e pushtetit, njeri i papërgatitur pa arsimuar, ja kam përgatitur tekstet por prap nuk ka pas sukses“, shtoi ish-sekretari i PAI-së
Ai tha për Insajderin se arsyeja e dorëheqjes ka qenë fakti se tanimë antarët e Partisë po punonin për familjen Arifi, dhe jo për komunitetin.
Në nevojën për vota, sipas Rrahmanit Qeveria Kurti ka mundësi të ketë zhvilluar ndonjë pazar me Arifin i cili në mars të këtij viti u zgjodh si nënkryetar nga komunitetet jo shumicë në Kuvendin e Kosovës.
“Edhe Qeverisë Kurti i kam than mos na merr në qafë, po atyre i konvenon edhe një votë, nuk me erdhi keq me i tregu qe jap dorëheqje. Nuk jam për me plotësu iu dëshira as kryeministrit as sulltanit, nëse dikujt i pengon çasja ime ajo është diçka tjetër por unë do te mbroj të drejtat e komunitetit tim“, shtoi ai për Insajderin.
Ndër të tjera, Rrahmani tha se Qeveria Kurti nuk ka plotësuar as 10% të marrëveshjes për bërjen e Qeverisë dhe votimin e presidentes.
“Qeveria Kurti nuk ka plotësuar as 10 % te marrëveshjes për bërjen e Qeverisë dhe votimin e presidencës. Ndoshta ia kan mbyll gojën me ndonjë projekt tjetër qe i ka konvenuar nënkryetarit Arifi”, përfundoi Rrahmani për Insajderin.
Kryetari i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Etem Arifi mohon deklaratat e ish-sekretarit
Në vazhdën e zhvillimeve përbrenda partisë, Insajderi ka kontaktuar edhe me kryetarin e partisë, Etem Arifi, i njëjti mohoi deklaratat e ish-sekretarit, Qazim Rrahmani.
Sipas Arifit, arsyeja pse Rrahmani e disa aktivistë të tjerë po largohen nga partia ka të bëjë me një marrëveshje paraparake që të njëjtit kishin bërë me Partinë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës.
“Ata dorëheqjen e kanë dhënë për shkak te interesave personale, ne e kemi prit sepse ata planet e Qazimit kanë qenë me PDAK-në ata fillojnë rrugëtimin e tyre ne rrugëtimin ton, nuk ka pas parregullsi e as pakënaqësi, por vetëm për interesa personale“, tha Arifi për Insajderin.
Bazuar në përgjigjen e Rrahmanit për Insajderin me datë 13 të muajit të kaluar ishte për tu mbajtur kuvendi i PAI-së, atë ditë mungoi kryetari Arifi, sipas tyre arsyeja e mungesës së Arifit ishte frika për kundërkandidat.
“Me frikën se ai nuk do të zgjidhet më kryetar nuk ka ardh fare, kemi kërkuar të shtyhet dhe KQZ-ja na ka aprovuar shkresën deri më 31 të atij muaji. Nuk e e ka majt prap, se kemi organizu, ka pas frikën e kundër kandidatit. Tash me vendimin e KQ-së PAI shkon në suspendim“, tha Rrahmani për Insajderin.
Por, Arifi e mohon deklaratën e tij, ai tha për Insajderin se arsyeja e mungesës ishte shkaku se të njëjtit i duhej të kujdesej për nënën e sëmurë me kancer.
“Veprimet e Qazimit si sekretar ne i kemi pa shumë më herët, por, ndërkohe afër 3 muajve nëna ime ka qenë e sëmure, vuan nga kanceri dhe duke e pas mungesën tem, pasi mua po më duhet me qëndru te shtëpija dhe për shkak te mungesës time ai e ka shfrytëzu këtë rast“, pohoi Arifi për Insajderin.
Kryetari i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, tha se e kishte kontaktuar Rrahmanin përgjat asaj periudhe dhe i njëjti nuk iu përgjigj gjerë pas datës 31, datës finale edhe nga KQZ-ja.
“U mundu me sabotu kuvendin, jam mundu me thirr me u pa me i sugjeru me punu rreth kuvendit por nuk është përgjigj derisa kur ai me ka lajmru ka qene mas dates 31 ka qene interes i tyre, dhe sido që të jetë ne jemi në konsulltim me KQZ te shohim çka mujm me bo“, tha ai për Insajderin.
Dorëheqjen e antarëve të PAI-të, Arifi nuk e sheh si humbje të madhe pasi sipas tij nga partia u larguan individ e jo grup si deklaron Rrahmani.
“Nuk na shkakton telashe largimi i tij, nga PAI janë largu individ, nuk është e vërtete ajo që e thot ai. Ne ketë rast në Ferizaj ka akoma njerëz me pozita dhe nuk janë larguar“, përfundoi Arifi për Insajderin.
Bujani: Ashkalinjve ju duhet një përfaqësim adekuat dhe faktorizues, e jo nënshtrues e spektakular
Në anën tjetër, aktivistja e njohur për të drejtat e komunitetit të ashkalinjve dhe njëherit asamblistja e Kuvendit komunal të Ferizajt, Pakize Bujani e cila iu është bashkangjitur dorëheqjes së Rrahmanit tha për Insajderin se arsyetimet e Rrahmanit janë të arsyeshme.
Ajo tha se çdo veprim i strukturës ka qenë unik për mos të përkrahur padrejtësitë dhe se ashkalinëve iu duhet përfaqësim adekuat dhe jo nënshtrues.
“Andaj çdo veprim i strukturës tonë ka qenë unik për mos të përkrah padrejtësitë ,po ashtu Ashkanlive ju duhet një përfaqësim adekuat dhe faktorizues , e jo nënshtrues e spektakular“, tha Bujani për Insajderin.
E njëjta tha se do të vazhdoj angazhimin e saj politik me qëllim të bashkimit të qytetarëve ashkali të Kosovës.
“Vazhdimi im në politik do të vazhdoj duke kontribuar për të ardhmen e popullit tim, ende nuk kam vendim përfundimtar jemi duke punuar për të inicuar në bashkimin e Ashkalive“, tha për fund Bujani.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës nga komunitetet jo shumicë, Bekim Arifi, por, i njëjti ndodhet aktualisht në pushime dhe tha se pajtohet me ato çka ka deklaruar edhe djali i migjës së tij ose ndryshe, kryetari i Partisë së Ashkalinëve të Integruar, Etem Arifi./Insajderi.org