
Opozita në Lipjan ka publikuar një video përmes së cilës kritikon ashpër projektin e shtigjeve të ecjes në këtë komunë, duke e cilësuar atë si “një shembull tipik të qeverisjes me logjikën Shkel e Shko”.
Në reagimin e tyre, thuhet se megjithëse ky projekt është prezantuar si investim në rekreacion dhe mirëqenie për qytetarët, gjendja në terren tregon të kundërtën.
“Ende pa përfunduar mirë promovimi, asfalti është çarë në disa pjesë, me hapësira deri në 50 centimetra. Ky nuk është zhvillim, por është makiazh i rrezikshëm”, thuhet në videon e PDK-së, dega Lipjan.
Opozita në këtë komunë ngre shqetësim edhe për deponitë ilegale përgjatë shtigjeve të ecjes, duke theksuar se askush nuk po kujdeset për pastrimin e mbeturinave, ndonëse shtigjet janë prezantuar si hapësira publike për qytetarët.
PDK kërkon llogaridhënie për mënyrën se si është pranuar ky projekt dhe për standardet e ulëta të punimeve.
“Kush e ka pranuar këtë punë me standarde të tilla? Kush është mbikëqyrësi i projektit?”, thuhet në reagim.
Në përfundim të videos, partia opozitare ngre një pyetje drejtuar qytetarëve dhe pushtetit lokal:
“Pse po lejojmë që Lipjani të bëhet laborator për eksperimentet e dështuara të një pushteti që kujdeset vetëm për fotografi?”
Insajderi.org
Video: