Ekrem Cervadiku së fundmi është shpërblyer me pozitën e menaxherit kryesor të Departamentit të Burimeve Njerëzore në ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës nga kryeshefja ekzekutive e saj, Burbuqe Hana. Gazeta Insajderi ka mësuar se Cervadiku ka miqësi me Hanën dhe është përzgjedhur në këtë pozitë, përkundër që i njëjti nuk ka pasur pozita menaxheriale më herët dhe s’ka pasur shkollim adekuat për të. I njëjti ka diplomuar në Menaxhment dhe Informatikë, që s’ndërlidhet fare me burimet njerëzore. Njësoj ka ndodhur edhe me Pranvera Shalën, e cila është avancuar në pozitën e menaxheres në Departamentin e Marketingut, pa përvojë menaxheriale.
Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë vendimin për përzgjedhjen e Cervadikut në krye të burimeve njerëzore, duke e vendosur të tretën Violeta Canën, me përvojë pune prej 10 vitesh në burime njerëzore. Ndërkaq, në pozitën e dytë renditet Hajrije Hykolli, gruaja e kryetarit të BSPK-së, Atdhe Hykollit, i cili përpara një viti u akuzua për deklarata pro-qeverisë nga sindikalistët e sektorit privat.
Ndërkaq, ish-drejtorin e këtij departamenti, Blerim Balën e kanë vendosur gati të fundit.
Nëpërmjet kësaj, Cervadiku është ngritur për pesë grada – pra nga zyrtari i Mbrojtjes së Informacioneve në Telekom në pozitën kryesore të burimeve njerëzore.
Përkundër mos-kualifikimit për pozitën, vitin e kaluar në fushën ku ishte zyrtar Cervadiku ishin ndërmarrë edhe veprime kundër-ligjore. Në Telekom ishte instaluar pajisja e regjistrimit të punonjësve me të dhëna biometrike.
Për këtë, vitin e kaluar ia kishte tërhequr vërejtjen Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke kërkuar që të hiqen menjëherë dhe të shkatërrohen të dhënat e marra të punëtorëve.
Po ashtu, më 26 korrik të këtij viti, në pozitën e menaxherit të Departamentit të Marketingut është përzgjedhur mikesha e kryeshefes ekzekutive të përafërt me VV-në, Pranvera Shala. Insajderi ka mësuar se e njëjta nuk ka pasur përvojë menaxheriale më herët dhe është e diplomuar në Art figurativ. Nëpërmjet këtij vendimi, është eliminuar nga kjo pozitë Leonora Jashari, e cila ushtronte këtë funksion ndër vite.
Këto avancime realizohen përmes komisioneve që ka formuar kryeshefja ekzekutive Hana, nga Leonora Syla e Avni Tafilaj, dy të perzgjedhurit e saj, për të cilët Insajderi do të raportojë ditët në vijim.
Insajderi ka arritur të konfirmojë afërsinë e Shalës me kryeshefen Hana nëpërmjet fotografive në vijim:
Insajderi pati raportuar përpara më pak se dy javësh se për pozitën “Menaxher – Analiza, Strategjia e Marketingut dhe Planifikimit” në Telekom kishte aplikuar vëllai i kryeshefes, Burim Hana.
Për këtë pozitë, nga Telekomi i thanë mediumit thënë se ende nuk ka përfunduar konkursi pasi që ende nuk janë ftuar kandidatët për intervistim.
“Konkursi për të cilin ju po interesoheni ende nuk është përmbyllur dhe në fakt ende nuk janë ftuar kandidatët për intervistë para komisionit përzgjedhës”, u tha në përgjigjen e Telekomit.
Pas raportimeve të Insajderit për avancimin e vëllait të Burbuqe Hanës, komsioni e ka shtyer procesin dhe ende nuk ka vendosur për të. Aktualisht, mediumi mëson se është duke kryer intervista për pozita të tjera.
Përkundër që britanikët e kishin kundërshtuar përzgjedhjen e Hanës në Telekomin e Kosovës, Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërmarrje publike kishte vendosur me vendim unanim që ta vë në pozitën e kryeshefes.
Kompania britanike e përzgjedhur si trupë profesionale për të bërë poentimin e kandidatëve e ka vlerësuar me më së shumti pikë një ish-anëtar të Partisë Demokratike të Kosovës. Kreshnik Domin. Ai para pesë viteve kishte qenë kandidat për asamblenë komunale të Prishtinës nga radhët e PDK’së.
Më 24 prill 2020, Burbuqe Hana u emërua Ushtruese e Detyrës së Kryeshefës së Telekomit.
Hana në këtë pozitë e zëvendësoi Bedri Istrefin, që u shkarkua nga kjo pozitë nga Bordi i emëruar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Më 2016-të, Burbuqe Hana kishte qenë pjesë e protestave të Vetëvendosjes në sheshet kryesore të Prishtinës. /Insajderi.org/